Partia Demokratike ka propozuar 3 masa urgjente që duhet të marrë qeveria për të mbrojtur personelin shëndetësor dhe qytetarët nga koronavirusi, që nga dita në ditë po shton të infektuarit në vend.

PD shpreh shqetësimin se pas mjekëve dhe infermierëve të Spitalit të Durrësit dhe Beratit, media raporton se edhe mjekë dhe infermierë në Spitalin e Fierit, janë futur në karantinë, për shkak se i kanë shërbyer personave të prekur nga koronavirus pa mjetet e nevojshme mbrojtëse.

Një skenar ky për të frikësuar mjekët dhe për ti detyruar të tërhiqen nga misioni i tyre heroik.

“Po bëhet 1 javë që kur është konfirmuar rasti i parë me koronavirus, por qeveria nuk ka marrë asnjë masë që të përmbushë kërkesën kryesore për të pajisur me mjetet mbrojtëse të gjithë personelin shëndetësor në vend.

Shqipëria ka personel të kufizuar shëndetësor dhe nuk kemi luksin që ata të futen në karantinë. Nëse kjo ndodh masivisht, bie muri mbrojtës mes qytetarëve dhe virusit të rrezikshëm. Mjekët nuk do të jenë në gjendje të trajtojmë qytetarët e sëmurë.

Akoma nuk është vonë që qeveria t’i japë fund papërgjegjshmërisë me të cilën ka vepruar deri tani më raport me sistemin shëndetësor. Për ta ruajtur atë nga kolapsi, është emergjente pajisja e stafit mjekësor me mjete mbrojtëse.”, thuhet në reagimin e PD-së.

Sipas partisë më të madhe opozitare, është detyrim ligjor kujdesi ndaj mjekëve.

“Koha nuk pret më! Duke e vlerësuar kohën si mjetin më të mirë, kryeministri dhe qeveria e tij duhet të marrin disa masa të detyrueshme nga ligji.

1.Mbrojtja e personelit mjekësor me pajisje dhe mjete speciale.

2.Dezinfektim me shpejtësi në nivel kombëtar për rrugët, mjediset publike dhe ndërtesat jopublike.

2.Miratimin pa vonesë të paketës social-ekonomike për shmangien e krizës.”, janë propozimet e PD-së.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re