Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, deklaroi pak ditë më parë se nëse do të ketë shtim të rasteve, të infektuarit do të trajtohen në Tiranë, me hapjen e spitaleve të tjera Covid.

Mirëpo, duket se ministria ka edhe një tjetër skenar për të kthyer spitalet rajonale të rretheve në spitale Covid. Lajmi u bë publik paraditen e sotme nga zyrtarja e ministrisë së Shëndetësisë, Mirela Cami teksa ndodhej në qytetin e Shkodrës.

“Për momentin kujdesi për të infektuarit jepet në spitalin infektiv COVID1, por nëse kemi rritje të numrave mund të shfrytëzohen dhe spitalet rajonale. Për momentin kemi vetëm spitalin Infektiv. Në varësi të situatës do të merren edhe vendime të tjera.

Numri i tamponëve nuk vjen si mungesë por sipas rekomandimeve të epidemiologeve”, shpjegoi Cami.

Drejtori i Spitalit të Shkodrës, Ardian Dajti u shpreh i gatshëm për të zbatuar vendimin e qeverisë.

“Lufta nuk ka mbaruar akoma, respektoni masat. Ne si drejtori nuk kemi ndryshuar asnjë masë, masat janë njësoj si në kohën e mbylljes, vazhdojmë të ndjekim të njëjtat masa.

Sa i takon trajtimit të të prekurve ne kemi kapacitete por kjo varet nga vendimi i qeverisë, nëse qeveria vendos që të prekurit të trajtohen në spitalin rajonal ne do i përgjigjemi”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re