Kishte një farë kohe që publiku nuk ishte ballafaquar me ato që janë bërë skena të zakonshme; me ndërtimorë që për një çast tentojnë të vënë apo bëjnë ligjin mbi ndërtimet pa leje. E marta në Jalë, në një ndër perlat e Bregut, u gdhi nën klithma e ulërima njerëzish. IKMT u kish shkuar më mandat për t’ju prishur ç’kishin ndërtuar, shoqëruar nga forca policore me pamje të frikshme, të gatshme për t’ju ardhur në ndihmë në rast rebelimi. Dhe më pas u konsumuan të gjithë skenat e mundshme të zemërimit njerëzor; mallkime pa fund deri në ngjirje e zvarritje trupash, deri dhe përplasje zyrtarësh me natyrë institicionalo – politike.

Një zhvillim që iu shtua panoramës gri të realitetit shqiptar, gjë që nuk dihet nëse merret ndonjëherë parasysh nga politikëbërja. Që do të thotë: a ekzistojnë forma dhe rrugë për t’u evituar diçka e tillë, e cila do kursente përvuajtjet e stresin e aktorëve direktë, e të atyre që ballafaqohen me këto skena, publikut në këtë rast? A mendohet ndonjëherë për një lloj “partneriteti” mes shkelësve të ligjit dhe zbatuesve të tij, para se të shkohet te përdorimi i forcës?

Duke shkuar te rrënjët e problemit, zhvillime të tilla do ishin krejt të evitueshme nëse shtetit do i funksionin të gjitha hallkat. Ata që ndërtojnë pa leje, nuk e bëjnë diçka të tilla brenda natës. U duhen ditë të tëra në paligjshmëri. Ku është në këtë rast shteti si roje territori? Pse nuk reagon ç’prej çastit kur qytetari vë tullën e parë, pa shkuar deri te çatia e më pas deri te shfrytëzimi normal i objektit?

Për ç’paguhen inspektorët ndërtimorë të bashkive, nëse nuk paguhen pikërisht për këtë gjë?

Duhet të jetë njësoj si në rend: ti mos prit ndodhjen e krimit për të ndërhyrë, ndërhy kur e sheh se ai po ndodh, për ta evituar.

Dhe pasi nuk ka ndodhur ky proces normal dhe në terren është bërë fakt i kryer shkelja e ligjit, a mundet që gjithçka të ndodhë pa e çuar çështjen në ekstrem? Që do të thotë të shfrytëzosh të gjitha format e komunikimit, mu prej faktit se ka dhe shteti përgjegjësi në paligjshmëri, për ta zgjidhur pa spektakël të vrazhdë një situatë të caktuar.

Një shtet i mençur, i drejtë dhe i ndjeshëm për shëndetin mental të qytetarëe të vet, do mundej posi. I ka të gjitha mekanizmat, nëse do kishte pak moral. Ai që shohim në ato skena nuk është shteti i “Shqipërisë që duam”. Po të ishte i tillë, më e pakta, para se të shkojë në terren, bën një sqarim paraprak për mediat, ose nëpërmjet medias apelon shkelësit e ligjit, e më pas pasi i “del borxhit”, si atyre e si opinionit që do gjykojë mbi një zhvillim të paralajmëruar, aktivizon instrumentin e forcës. Ky duhej duhet të ishte shteti që duam!

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re