Intervistoi Enkelejda Mema, Vizion Plus

Kur opozita vazhdon të pamundësojë jetën parlamentare, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smth tërheq vëmendjen për rikthim te debati civil. Në këtë intervistë të posaçme për Vizion Plus, diplomati britanik vlerëson se skenat me tymuese, zhurmues dhe bllokim të foltores nuk i shërbejnë demokracisë.

Alastair King-Smith: Lloji i skenave që kemi parë në parlament nuk i përshtatet një demokracie moderne. Ne duam të shohim funksionimin e parlamentit dhe duam që të gjitha partitë apo fraksionet të bashkohen për të mirën e përbashkët dhe të kenë një bisedë civile për strukturat dhe procesin. Ne gjithmonë kemi nxitur që të ketë një opozitë efektive, një opozitë që mund t’i kërkojë llogari qeverisë dhe që mund të jetë gjithashtu një alternativë e besueshme ndaj qeverisë. Kjo është diçka vërtet e rëndësishme për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Këtë duan dhe meritojnë shqiptarët.

Pyetje: Po roli i qeverisë? A duhet të jetë ajo më mikpritëse apo dialoguese me opozitën?

Alastair King-Smith- Është vërtet e rëndësishme që secili të luajë rolet e tij dhe të marrë përgjegjësitë e tij seriozisht dhe të gjejë mënyra për ta bërë parlamentin të funksionojë. Tani është momenti, përndryshe nuk do të jemi në gjendje t’i çojmë para këto çështje me rëndësi që i keni identifikuar, por kjo gjithashtu ndikon në besimin e biznesit. Kam folur me shumë investitorë britanikë dhe ndërkombëtarë që duan të investojnë në Shqipëri, por ky destabilitet politik nuk ndihmon. Pra, unë dua t’u bëj thirrje të gjithëve që të gjejnë një mënyrë për të zhvilluar biseda, për të mundësuar funksionimin e parlamentit dhe për të mundësuar funksionimin e demokracisë.

Pyetje:Në këtë moment kemi debatin për reformën zgjedhore. Deri më tani mazhoranca dhe opozita nuk janë ulur dot në tryezën e dialogut, madje nuk kane filluar asnjë diskutim. A do të përfshihet Britania e Madhe?

Alastair King-Smith- Ne e mbështesim plotësisht ambicien për të pasur reformë zgjedhore dhe reforma zgjedhore duhet të jetë konsensuale. Ajo duhet të përfshijë të gjitha palët dhe perspektivat përkatëse, në mënyrë që të reflektohen interesat e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Pra, ne me të vërtetë duam ta shohim atë te ece përpara. Dhe unë u bëj thirrje të gjithë politikanëve që t’i diskutojnë këto çështje dhe të gjejnë një zgjidhje për të ecur përpara me mirëbesim.

Përballë faktit që as opozita dhe as qeveria nuk tërhiqen nga qëndrimet e tyre, Alastair King-Smith deklaron se roli i vetëm që do të ketë Mbretëria e Bashkuar është ai mbështetës në funksion të demokracisë.

Alastair King-Smith- Pozicioni im është shumë i qartë. Janë politikanët ata që duhet të vazhdojnë përpjekjet për këtë, pavarësisht vështirësive. Mbretëria e Bashkuar do të jetë gjithmonë mbështetje për shqiptarët që të kenë një demokraci efektive dhe një parlament efektiv dhe ne do ta vazhdojmë këtë mbështetje.

Një qëndrim ambasadori britanik në Tiranë e pati edhe për deklaratat që politikanë të caktuar bëjnë në adresë të SPAK. Me theksin se organi që heton krimin e organizuar dhe korrupsionin deri në nivele të larta zyrtarësh është i pavarur dhe duhet të punojë i pandikuar.

Alastair King-Smith- Ne e mbështesim plotësisht SPAK-un dhe punën e tij të rëndësishme. SPAK-u duhet të lejohet të vazhdojë punën pa frikë apo favore. Ata janë një institucion i pavarur dhe kjo duhet respektuar. Dhe sigurisht që krimi i organizuar dhe korrupsioni janë vërtet shkatërrues për shoqërinë. Ata ndikojnë në mënyrën se si mund të funksionojë demokracia, se si mund të funksionojnë institucionet, ata janë në shkelje të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, dhe gjithashtu lënë gjurmë në ekonomi dhe u mohojnë qytetarëve mundësitë që i meritojnë dhe u nevojiten njëkohësisht. Pra, është shumë e rëndësishme që puna të ecë vërtet përpara në të ardhmen.

Zhgënjimi ndaj politikës është edhe një prej shumë arsyeve që të rinjtë e braktisin vendin dhe emigrojnë në mënyrë të paligjshme më së shumti në Britaninë e Madhe. Për këtë arsye qeveria e Londrës është angazhuar me disa programe që synojnë kualifikimin e të rinjve dhe mbështetjen financiare për sipërmarrjet e reja kryesisht në veri të vendit.

Alastair King-Smith- Nëse do të mund ta ktheja kohën pas, do t’i kisha nisur këto iniciativa shumë vite më parë. Pothuajse 100 biznese lokale tashmë po marrin mbështetje për të rritur bizneset e tyre dhe për të krijuar ndërmarrje të reja në të gjithë veriun. Kjo gjë nuk është vetëm në Kukës, për të cilin sigurisht që jemi të shqetësuar, por edhe në Dibër, edhe më gjerë në veri. Duam të shohim që bizneset të lulëzojnë, duam të shohim të rinjtë të marrin llojin e aftësive që u mundësojnë atyre të jenë sipërmarrës të rinj efektivë. U kemi dhënë grante mbi 1000 sipërmarrësve të rinj për të marrë mentorim dhe trajnim më të mirë, gjë e cila i ndihmon vërtet, për të qenë më efektivë. Ne kemi hapur qendra në Bulqizë, në Kukës, në Shkodër, në Has, qendra të sipërmarrjes rinore, të cilat gjithashtu do t’i ndihmojnë të rinjtë të mësojnë se si mund të zhvillohen realisht këtu në Shqipëri dhe të arrijnë mundësitë që ekzistojnë. Ne duam ta zgjerojmë këtë mundësi dhe muajin e ardhshëm unë shpresoj që në Dibër dhe në Tropojë të kemi qendra të reja sipërmarrjeje.

Pyetje: Z. Ambasador, në bisedën paraprake që zhvilluam bashkë, ju më thatë që në 2024 do të jetë një vit i arritjeve të mëdha për Shqipërinë dhe që do ta vendos atë në qendër të arenës ndërkombëtare. Mund të më thoni nga buron kjo deklaratë e juaja.

Alastair King-Smith- Nëse e shohim në rrafsh ndërkombëtar si anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria ka qenë një partner vendimtar për të gjithë ne, në skenën ndërkombëtare. Ajo që është më e rëndësishme, këtë e kemi parë lidhur me Ukrainën. Shqipëria do të jetë tashmë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut gjatë dy viteve të ardhshme dhe do të vazhdojë të jetë një nga partnerët tanë më të ngushtë në arenën ndërkombëtare. Mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, në mënyrë dypalëshe, tashmë ne e kemi transformuar atë që ishte një partneritet, në një miqësi vërtet të ngushtë. Unë kam inkurajuar më shumë biznese britanike që ta shikojnë Shqipërinë, dhe të investojnë në vend. Dua vërtetë shoh më shumë punë me shkollat dhe universitetet. Jemi shumë të kënaqur që ato programe po marrin hov tani, por këto janë gjërat që u ofrojnë të rinjve atë që po flisnim: shpresën për të ardhmen dhe aftësitë që ata të mund të jenë individë produktivë në të ardhmen. Mendoj se viti 2024 do të jetë një vit shumë i veçantë për të gjithë shqiptarët dhe që Shqipëria do të arrijë suksese, si një vend ku njerëzit duan të vijnë dhe ta vizitojnë, ku njerëzit duan të vijnë dhe të qëndrojnë këtu. Dhe shpresojmë t’i shohim këto anë pozitive të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të jetë një nga partnerët më të fortë të Shqipërisë.

Faleminderit./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re