“Nënë, kam diçka në bark, po më dhëmb shumë” – Ishte kjo fraza e fundit e thënë nga vogëlushi Leotrim Ahmeti, i vrarë barbarisht nga forcat pushtuese serbe më 1 shtator të vitit 1998 me një granadë dore të hedhur në banesën e tij.

E ëma bëri gjithçka për ta mbajtur në jetë të birin, i cili nuk mbijetoi dot. Por tashmë, ai, si një martir, është përjetësuar në bronz me statujën e vendosur në Skënderaj, një rikujtesë për lirinë e fituar me shumë gjak të derdhur, edhe fëmijësh. Sepse ai gjithashtu përfaqëson çdo fëmijë të vrarë nga forcat kriminele serbe në luftën e Kosovës, për faktin e vetëm pse ishin shqiptarë, ose ose, ajo kryesorja që nuk thuhet, pse ishin muslimanë.

Kryetari i komunës Skënderaj, Fadil Nura, tha se “kjo pjesë e sheshit të qytetit nga sot do të personifikohet nga dy figura që u bënë të njohura me historinë e tyre. Nga Adem Jashari që personifikon trimërinë dhe guximin e trimave të UÇK-së duke dhënë jetën në shërbim të lirisë së popullit shqiptar për liri dhe nga Leotrim Ahmeti që përfaqëson çdo viktimë të vrarë në luftën e Kosovës”.

Ishte profesor Nusret Pllana ai që bëri të njohur historinë e trishtë të martirit 7-vjeçar, duke i përshëndetur të pranishmit me frazën e tij ikonike: “Ju flet Kosova e lirë. Qëndresa ishte buka dhe uji i çdo qytetari i kësaj treve heroike”.

Kanë qenë familjarët e vogëlushit ata të cilët kërkuan ndërtimin e një obelisku në përkujtim të të gjithë fëmijëve të vrarë nga forcat serbe.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re