Pas rrugës “Fan Noli”, New Yorku ka tashmë edhe një rrugë që mban emrin e heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Të pranishëm në ceremoninë e zhvilluar ishin përfaqësues të komunitetit shqiptar në Amerikë, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams dhe zyrtarë të lartë amerikanë.

 

Veliaj u shpreh se kjo është një ngjarje e shënuar për shqiptarët.

 

“Kur përfunduam sheshin “Skëndërbej” pata shumë emocione, se ai është sheshi më i madh i shqiptarëve, në qendër të Tiranës. Por, di të them se nuk kam ndjerë kurrë kaq shumë energji pozitive, kaq shumë dashuri dhe kaq shumë mirësi se sa këtu, në rrugën “Skënderbej” në Nju Jork. Dikur, kur isha student këtu, as e mendoja kurrë se do të vinte kjo ditë. Nuk e kisha parë as në ëndrrën më të bukur se, një ditë, do të rikthehesha në qytetin ku kam shumë kujtime, për të përjetuar kujtimin më të bukur, përurimin e rrugës “Gjergj Kastriot Skëndërbeu” në Nju Jork.

 

Kryebashkiaku shtoi se shqiptarët janë më të forte kur janë bashkë, njësoj siç është figura e Skënderbeut.

 

 “Kur ne nuk ndahemi në llogore dhe bëhemi bashkë, jemi të pathyeshëm. Sot jam i lumtur që Fan Noli, i cili shkroi Historinë e Skëndërbeut, dhe Skëndërbeu, që bëri historinë e lavdishme të kombit tonë, janë të dy bashkë në rrugët e Nju Jorkut. Është komplimenti më i madh që, për një komunitet si i yni, të marrë pjesë në këtë ngjarje edhe kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, edhe senatori Nju Jorkut, edhe kongresmeni i juaj, sepse kombi ynë i ka bërë vend vetes me punë, me djersë dhe me meritë”.

 

Qindra shqiptarë me flamuj kuq e zi dhe amerikanë, me veshjet kombëtare, me plisa dhe qylaf të bardhë në kokë, patën mundësi që të ndiqnin më pas edhe një program të pasur artistik.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re