Skënderbeu bën goditjen e rradhës në merkato, duke afruar lojtarë të afirmuar në kampionatin shqiptar. Burime zyrtare në klubin korçar konfirmuan se pas Lanccinet Sidibes është radha e mbrojtësit të majtë, Eni Imamit, që të firmosë për Skënderbeun. Imami vjen pas eksperiencës te Tirana, ku iku zyrtarisht vetëm dy ditë më parë.

Që në muajin dhjetor flitej se mbrojtësi kryeqytetas pëlqehej nga trajneri Ilir Daja dhe bisedimet kishin nisur.

Dje ai bëri një takim me presidentin Takaj dhe u ra dakord për të nënshkruar një marrëveshje që do ta mbajë lidhur me korçarët për një vit e gjysmë. Imami luajti një sezon e gjysmë me Tiranën, duke u aktivizuar 41 ndeshje në kampionat dhe 10 në Kupën e Shqipërisë.

Lojtari 27-vjeçar mund të bëjë disa pozicione në mbrojtje dhe mesfushë, duke lehtësuar kësisoj zgjedhjet e Dajës. Për shërbimet e Imamit në lojë ishte edhe Bylisi e Laçi, por në fund ai zgjodhi Skënderbeun si skuadrën e duhur për të vazhduar karrierën.

Ndërkohë, mësohet se paga e lojtarit do të jetë 2 milionë lekë të vjetër në muaj dhe sot pritet që të nisë stërvitjen me bardhekuqtë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re