“Të keqen motra, – tha ajo, – nuk është ashtu siç duket!” dhe nxorri nga çanta dy buzëkuq, një çokollatë kinder, një pako makarona, një kuti turshi dhe një kuti misër.

Ishte hera e trembëdhjetë gjatë atij viti që kapej në po të njëjtin supermarket duke vjedhur, ja ashtu gjëra të vogla, përherë e nga pak, përçdoherë e nga një produkt më tepër.

Pronarët e supermarketit, një ndër më të njohurit në qytet, ishin vënë në siklet të madh, mirëpo edhe përkundër digjitalizimit të pronës, me kamera të cilësisë së fundit, në çdo cep të ambientit të tyre të madh, efektet me rastin në fjalë kishin qenë, thuajse, të papërfillshëm.
Ishte e njëjta histori që përsëritej, herë në supermarket, herë në institucionin ku punonte. Madje, kohë më parë pjesëtarët e tjerë të administratës ishin mbledhur një ditë dhe, në mënyrë të organizuar, i ishin ankuar drejtuesit të tyre: gjithçka lëmë vetëm në prezencë të saj, na avullon.

Shefi, një burrë i bëshëm dhe me hije të rëndë, kishte ngritur supet dhe me zërin e tij të trashë i kishte porositur të jenë më të vëmendshëm gjatë orarit zyrtar të punës.

Mirëpo, sot, si për të mbyllur me sukses vitin e vjetër dhe për të hapur një vit të ri, për të trembëdhjetën herë radhazi gjatë atyre 356 ditëve, punonjësi djalë i supermarketit, ndërsa i merrte nga çanta dy buzëkuq, një çokollatë kinder, një pako makarona, një kuti turshi dhe një kuti misër, i tha gjithë qesëndi: “Të kemi shpallur fituese të vendit të parë për kontributin tënd të madh në digjitalizimin e të gjithë supermarketeve të qytetit.”/ Nga N. Lapardhaja

P:S

Çmimi u shpall dhe u tërhoq më 31 dhjetor, mbrëmjen e ndërrimit të viteve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re