Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mori pjesë në takimin informal të Ministrave të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së që u zhvillua në Malet e Tatras, në kuadër të Kryesisë sllovake.

Nën moton “Nga veprimet e shkuara, në parandalimet e ardhshme: promovimi i stabilitetit në Evropë dhe më gjerë nën strehën e OSBE-së”, ministrat pjesëmarrës diskutuan mbi të ardhmen e punës së OSBE-së, në një dinamikë të ndryshueshme por në kontekstin shumëpalësh.

“Mbledhja u përqëndrua kryesisht në diskutimet e shteteve pjesëmarrëse mbi praktikat efektive të parandalimit, menaxhimit dhe zgjidhjes së konflikteve dhe zhvillimit të multilateralizmit efektiv në tërësi.” shprehet Ministri Cakaj në rrjetin e tij facebook.

Cakaj thotë  se “Ky takim ishte veçanërisht i vyer për t’i informuar vendet pjesëmarrëse të OSBE-së për përgatitjet e Shqipërisë në marrjen e Kryesisë në vitin 2020 në tre vektorë kryesorë: politik, burime njerëzore dhe logjistik-financiar”

Ministri në Detyrë Cakaj u fokusua tek Kryesia e 2020, ku pasi bëri një ekspoze të shkurtër të prioriteteve tona, evidentoi faktin se, si pjesë e Trojkës dhe Kryesuese e Grupit të Mesdheut, Shqipëria çdo ditë e më shumë po dëshmon besueshmërinë shtetërore dhe kapacitetin e saj për veprim efektiv ndërkombëtar.

“Shqipëria disponon kapacitetet e patjetërsueshme për të marrë kryesinë e Organizatës 57 anëtarëshe, përgjegjëse për një numër të konsiderueshëm çështjesh politike-ushtarake, ekonomike-mjedisore dhe të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore nga Vankuveri deri në Vladivostok” shprehet Cakaj.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko