Ariol Halilaj, 29 vjeç është arrestuar nga policia si një nga autorët e dyshuar të atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoj, në nëntor të vitit të kaluar.

Detaje të reja janë raportuar për atentatin i cili ndodhi në afërsi të mbikalimit të Shkozetit.

“ABC News” raporton se nga Polica e Durrësit, është arrestuar një tjetër bashkëpunëtor.

Bëhet fjalë për Ariol Halilaj i lindur në Skrapar dhe me banim në Durrës.

Halilaj ka pasur një angazhim kryesor në ngjarje, duke transportuar autorët dhe duke i fshehur, sidomos shtetasin Redjan Rrajën.

Por, autorët kanë gabuar në djegien e automjetit, sepse kur kanë shkuar në vend për të djegur automjetin, kanë parë banorë të zonës dhe në këtë mënyrë nuk e kanë realizuar qëllimin duke e braktisur atë.

Mësohet se një nga autorët i paidentifikuar, është larguar nga Shqipëria, ndërsa Redjan Rraja është strehuar në shtëpinë e bashkëpunëtorit të tij Arjol Halilaj. Pra, roli i Halilaj në këtë ngjarje ishte largimi nga vendi i ngjarjes dhe strehimi i njërit prej autorëve në shtëpinë e tij.

Redjan Rraja nuk e ka pranuar autorësinë e krimit, por telefoni i tij i analizuar nga ekspertët ka nxjerrë detaje të komunikimit me Arjol Halilaj.

Halilaj ka kërkuar që hetimi i tij të kryhet në prani të avokatit. Paraprakisht ka thënë që thjesht ka pasur njohje duke u shprehur se nuk e dinte që Raja ka marrë pjesë në ngjarje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re