Deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri, ka reaguar pas përplasjes së deputetëve demokratë në grupin e WhatsApp, ku Lulzim Basha duket se urdhëroi sekretarin Endri Hasa që të fshinte mesazhet e Gazment Bardhit. 

E ftuar në News24, deputetja Pampuri tha se në grup “s’mund të vijnë ftesa për tryeza në fermë”, ndërsa shtoi se kreut të Grupit të PD-së, Gazment Bardhit, “vetëm iu hoq e drejta për të shkruar, ikën vetë”.

“Partia Demokratike është zyrtare ka rregulla dhe norma. Ne grupin e whatsappit nuk mund të vijnë ftesa për në fermë, nuk mund të vijnë ftesa për një tryezë në grupime të cilat nuk janë pjesë e PD-së. Administratori i cili administron grupin ka fshirë një ftesë e cila nuk ishte në tagrin e z.Bardhi.

Ai nuk mund të bëjë lëvizje të tilla brenda partisë. Z.Bardhi ka qenë administrator deri në momentin që ishte sekretar i Përgjithshëm, dhe kreu i grupit, kur nuk i kishte më këto role, iu hoq e drejta vetëm për të shkruar, fakti që ata kanë ikur vetë nuk do me thënë që dikush i ka hequr”, tha ajo.

LEXONI EDHE: Deputetëve u hiqet e drejta për të shkruar mesazhe! Ja si “hakmerret” Lulzim Basha ndaj Gazment Bardhit

 

Oriola Pampuri theksoi se në kohën kur Gazment Bardhi mori detyrën si kreu i grupit Parlamentar të PD-së u shkel rregullorja.

“Tani e tutje nuk do të shkelet më rregullorja sepse rregullorja është shkelur kur z.Bardhi u zgjodh kryetar. Nuk ishte në asnjë pikë të statutit, pasi nuk mund të zgjidhej sekretari i Përgjithshëm dhe të mbante dy role, por një nga nënkryetarët. Bardhi nuk ishte nënkryetar dhe mori kreun e grupit. Që këtu kishte një shkelje. Ka një statut dhe në bazë të statutit mblodhëm Kryesinë dhe morëm vendimet”, tha deputetja e PD-së.

Sa i përket rregullores së Kuvendit për zgjedhjen e kryetarit të grupit parlamentar të një partie, Pampuri tha se nuk përcaktohet mënyra se si zgjidhet.

“Rregullorja e Kuvendit ka një kleçkë që thotë ‘zgjedh’ dhe mënyrën se si e zgjedh nuk e thotë, mund ta zgjedhë në Kryesi, në forma të tjera, pro në asnjë monet nuk thotë ‘me shumicën e grupit parlamentar’, ky është vetëm një keqkuptim që ata e bëjnë për interesin e tyre personal”, përfundoi ajo.

 

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re