Me snajper, pistoleta, karikatorë e dylbi dukej sikur çdo gjë ishte e përgatitur për diçka. Ish-efektivi i RENEA-s, Remal Rada 39 vjeç u kap nga policia e Tiranës me një seri armësh në mjetin e tij i shoqëruar nga Elton Hithi, 28 vjeç.

 

Ish-efektivi i forcave elitë RENEA lëvizte me makinë në Tiranë me një snajeper të modifikuar për qitje në distancë deri në 2 mijë metra. Në automjetin e tij Benz me targa të huaja, Remal Rada 39 vjeç kishte pasagjer një person nga Laknasi me precedentë të mëparshëm penalë, Elton Hithin 28 vjeç.

 

Kolegët e policisë kishin marrë informacione se në afërsi të rrethrrotullimit të Sanatoriumit në rrugën e Elbasanit në Tiranë, po udhëtonin në një automjet 2 persona të armatosur. Si rezultat i operacionit të koduar “Double Strike”, i arrestuan në flagrancë.

 

Gjatë kontrollit, efektivët gjetën në makinë një snajper, targa të huaja, dokument policie dhe një pult për mbulimin dhe ndërrtimin e targave të automjetit.

 

Ndërsa nga kontrolli në shtëpitë e tyre, u gjetën një pistoletë, dy dylbi nate terminale, municion luftarak (një karikator arme automatike, 2 krehra pistolete) të cilat u sekuestruan së bashku me automjetin.

 

Të arrestuarit do të hetohen nga Prokuroria e Tiranës për armambajtje pa leje dhe mbajtjen pa të drejtë të uniformës, megjithatë burime të pakonfirmuara thonë se nuk përjashtohet mundësia që të arrestuarit të mund të kryenin vrasje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re