Kryetarja e Komisionit Hetimor për “Sterilizimin” dhe “Check-Up”, Albana Vokshi ka paralajmëruar se deputetet e mazhorancës duhen shkarkuar pasi kanë shkelur rregulloren dhe nuk kanë marrë pjesë në komision.

Ajo u shpreh se sot do ti dërgohet një shkresë kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila duhet të marrë masa për zhvillimin e komisionit me qëllimin hetimin parlamentar të dy koncesioneve.

Vokshi tha se Plarent Ndreca dhe Milva Konomi janë në konflikt interesi dhe duhet të largohen.

“Për të tretën herë radhazi kolegët e mazhorancës kanë bojkotuar mbledhjen, duke dëshmuar mungesën e vullnetit dhe dëshirës për të bërë hetim parlamentar për dy afera korruptive, “Sterilizimin” dhe “Check-Up”.

Ndjek keqardhje për 8 kolegët e mazhorancës, të cilët me një urdhër të Ramës zbatuar nga avokati i shumë zyrtarëve që ka pasur probleme me drejtësinë. Nënkryetari i komisionit ka bërë avokatin e atyre që kanë bërë kontrabandë barnash.

Gazment Bardhi do i dërgojë një letër Kryetares së Kuvendit për të marrë masa, në mënyrë që mund të bëjmë hetimin parlamentar.

Nëse mungojnë tri herë radhazi duhen shkarkuar dhe duhen zëvendësuar me të tjerë. Kjo është hera e tretë që 8 deputetë mungojnë në mënyrë të paligjshme dhe do i dërgojmë kryetares së Kuvendit që të marrë masa”, tha Vokshi, e cila njoftoi se mbledhja e radhës do të jetë të premten.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re