Vdekja e deputetit socialist Bashkim Fino ka ngjallur reagime të shumta nga personalitete të fushave të ndryshme.

Ngushëllime kanë ardhur edhe nga kolegët e tij më të hershëm në Partinë Socialiste të cilët kanë çmuar lart figurën e tij.

Deputeti Fatmir Xhafaj, permses një mesazhi në rrjetet sociale, kujton sakrificat dhe solidaritetin e Finos brenda socialistëve.

Ndër të tjera ai shkruan:

“I dhimbshëm në shpirt lajmi i hidhur që njofton ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tonë Bashkim Fino.

Luftoi aq shumë për jetën ku prej vitesh me radhë fitoi disa beteja, por nuk ja doli dot t’i shpëtonte përballjes së fundit duke lënë mes nesh kujtimin e një njeriu që guxonte të ishte vetvetja, të ishte i vërtetë, i guximshëm dhe përherë aktiv për të ruajtur frymën e bashkëjetesës dhe solidaritetit brenda familjes sonë socialiste.

E njoha nga afër në vitin e mbrapshtë të ‘97 dhe prej asaj kohe u bëmë bashkëudhëtarë të të njëjtit rrugëtim ku na u ndërthur bashkëpunimi si kolegë, si miq dhe si socialistë të një kauze.

Ai ishte dhe ngelet shëmbëlltyra e njeriut fisnik, politikanit të qytetëruar, socialistit të vërtetë qysh në orët e para dhe personalitetit që e ndërtoi me punë e sakrifica, karierën dhe emrin e tij.

Ngushëllime të përzemërta familjes, të afërmve dhe gjithë kolegëve!

U prehsh në paqe Bashkimi ynë i paharruar!”, nënvizon Xhafaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re