Sekretari i përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, ish-ministër i energjisë, ka hedhur poshtë akuzat e opozitës, duke deklaruar se as nuk ka udhëtuar me Klodian Zoton e as nuk ka qëndruar në hotele të paguara prej tij.

 

Gjatë një komunikimi me gazetarët, Gjiknuri ka sqaruar se në datat e pretenduara nga demokratët ai ka qenë në udhëtim për arsye pune.

 

DAMIAN GJIKNURI

SEKRETAR I PERGJITHSHEM, PS

 

“Të them të drejtën të gjitha udhëtime, vetëm 2 që kanë dalë në media, janë zyrtare kanë dokumentacionin përkatës. Nuk kam pse të nxjerr letra, por udhëtimet e mia janë të deklaruara, s’kam shkuar për qejf. Roli im si ministër s’ka shkelje ligjore. S’ka dalë askush të thotë një shkelje ligji nga unë kur isha ministër.”

 

Demokratët, duke iu referuar dosjes që Spak ka sjellë për Arben Ahmetajn në parlament, kanë deklaruar se Gjiknuri në dy raste ka qëndruar në hotele të paguara nga Klodian Zoto në Vjenë dhe në Frankfurt.

 

Por sipas dokumenteve të ministrisë së Energjisë në këto dy data Gjiknuri ka qenë për udhëtime pune dhe ka qëndruar në të tjera hotele të paguara nga qeveria. Në 12 mars 2014 ai ka qenë në hotel ambasador në Vjenë dhe në 8 shkurt të 2014 kur prokuroria ngre dyshime se Gjiknuri është takuar në Frankfurt me Mirel Mërtirin e Klodian Zoton, Gjiknuri ka qenë në udhëtim drejt Bostonit në SHBA me tranzit në Frankurt.

 

Në dosjen e SPAK-ut, figurojnë edhe disa komunikime të vitit 2012 të Arben Ahmetajt me deputetin socialist Baftjar Zeqo, i cili ka mbajtur postin e kryetarit të bashkisë Fier deri në vitin 2015. Në këto komunikime Ahmetaj i kërkon të takohen me Mërtirin.

 

BAFTJAR ZEQO

DEPUTET PS

“Mua s’më kujtohet takimi dhe tema. Nuk mbaj mend do thosha. Unë se mbaj mend, ky takim mund të jetë në 1 mijë takime.”

 

Në këtë dosje figuron edhe emri i socialistit Fadil Nasufi, ish-kryetar i bashkisë Berat.

 

FADIL NASUFI

DEPUTET, PS

“S’kam lidhje me inceneratorët dhe asnjë procedurë për atë që diskutohet për Ahmetajn. Ç ’lidhje kam unë me këtë.”

 

Prej së hënës kur dosja e SPAK-ut për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj mbërriti në parlament, opozita akuzoi disa prej figurave kryesore të PS se janë përfshirë në afera korruptive.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re