Shprehjen punë punë natë e ditë, duket ta kenë kuptuar më së miri socialistët të cilët janë nën ethet e përballjes me qytetarët për mandatin e tyre të tretë.

Deputetja socialiste e Durrësit Klodiana Spahiu së bashku me ish-kryetarin e Bashkisë Vangjush Dako që duket të jetë larguar vetëm de juro nga posti, janë mbledhur mbrëmjen e djeshme në godinën e institucionit lokal, me shumë gjasa për të koordinuar fushatën për zgjedhjet e Prillit.

Siç mund të shihet nga fotot e siguruara nga Faxëeb.al, disa mjete luksoze janë parkuar përpara bashkisë ndersa të zotërit e tyre janë brenda godinës, duke thurur planet sesi të jenë fitues në zgjedhjet e Prillit.

Pavarësisht se fushata ka ende kohë për të nisur zyrtarish përfaqësuesit socialistë janë bërë gati të vënë piketat, se në cilat rajone të Durrësit duhet përqendruar më së shumti fushata, për të bindur elektoratin gri, apo pse jo për të peshkuar dhe pjesën e rivalëve.

Qarku i Durrësit nxjerr 14 deputetë të Kuvendit, dhe vazhdimisht ka pasur një garë të ethshme se kush do të kalojë në avantazh, edhe për shkak të klaneve të ndryshme që janë thelluar me kalimin e viteve. Këtë herë, opozita e drejtuar në këtë qark nga Edi Paloka, gëzon mbështetjen e Agron Dukës, ndërkohë që socialistët janë përforcuar me Lefter Kokën që ‘u divorcua’ nga LSI-ja e Kryemadhit, ndërsa akuzat mes të dyve nuk kanë munguar.

Nga ana tjetër vetë Rama ka shprehur dëshirën për të qenë pjesë e listave në Durrës, pasi sipas tij i ka një borxh të vjetër këtij qyteti, i cili duket i lënë pas dore, duke marrë parasysh vëmendjen e jashtëzakonshme që ka marrë në tërësi Vlora.

Sa i takon Bashkisë së Durrësit, ku është mbajtur edhe takimi i djeshëm, ajo drejtohet nga një kryetare ‘kukull’ që duket se e ka të pamundur të ngrihet mbi hijen që ka lënë pas ”akullorja” Vangjush Dako, i cili e drejtoi qytetin për tre mandate me radhë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re