Bullgaria ka dëbuar kreun e kishës ortodokse ruse në Sofje së bashku me dy priftërinj bjellorusë, tha të premten kryeministri Nikolai Denkov në festimet e Ditës së Pavarësisë së vendit të tij.

Ata akuzoheshin se vepronin kundër interesave të Bullgarisë dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare (DANS) i regjistroi si persona që duhet të dëboheshin nga vendi sepse, siç tha Denkov, ishin të listuar në një raport sekret.

Kisha në Sofje do të ndalojë së punuari derisa Kisha Ortodokse Ruse të marrë një vendim për të ardhmen e saj, tha ambasadorja ruse në Bullgari Eleonora Mitrofanova për kanalin televiziv Rusia 24.

Asnjë akuzë konkrete nuk është ngritur kundër priftit, njoftoi Mitrofanova në faqen e ambasadës ruse në Sofje.

Marrëdhëniet e tensionuara mes Rusisë dhe Bullgarisë arritën pikën më të ulët në vitin 2022, kur 70 diplomatë rusë dhe personel të ambasadës u dëbuan nga vendi nën dyshimin për spiunazh.

Bullgaria, një ish-anëtare e Bllokut Lindor, është një anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re