Një sondazh i ri në Gjermani paraqet një opinion të përçarë për një mandat të katër të Angela Merkel si kancelare e vendit. Edhe Social-Demokratët me të cilët Merkel kërkon të krijojë një koalicion qeverisës, kanë bërë paraqitjen e tyre më të dobët në historinë e këtij sondazhi.

Transmetuesi publik gjerman ARD publikoi sondazhin e përmuajshëm Deutschlandtrend, i cili tregon një rënie në mbështetjen për Angela Merkel dhe për një mandat të katërt në krye të vendit.

51% e të anketuarve e shohin pozitivisht perspektivën e drejtimit të Gjermanisë nga zonja Merkel, ndërkohë që 46% e kundërshtojnë.

Edhe pse duket se kancelarja gëzon mbështetjen e mëse gjysmës së popullit, rezultati 51% është tepër i ulët krahasuar me 6 muaj më parë, kur mbështetja për Merkel arrinte në nivelin 70%.

As Social-Demokratët e Martin Schulz, me të cilët blloku konservator po përpiqet të krijojë një koalicion qeverisës, nuk kanë bërë një paraqitje të mirë në këtë sondazh.

Sipas Deutschlandtrend, nëse Gjermania do t’i drejtohej zgjedhjeve federale këtë fundjavë, Social-Demokratët do të merrnin vetëm 18% të votave. Kjo përbën një shifër akoma më të ulët se rezultati i arritur në zgjedhjet federale të shtatorit, ku mbështetja për partinë në fjalë arriti në nivelet më të ulta historike.

Populli gjerman duket i përçarë edhe sa i përket perspektivës së një koalicioni të madh. 52% e të anketuarve e shohin pozitivisht këtë zhvillim, ndërkohë që 46% kanë qasje negative.

Vetë procesi i negociatave mes palëve për krijimin e qeverisë është një temë që duket se po lodh gjermanët.

Sondazhi i transmetuesit ARD tregon se 71% e respondentëve tashmë po humbasin durimin lidhur me këtë çështje. /on/.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re