Skip to content

Sondazhet ju nxjerrin ‘gropë’, Kryemadhi: Votuesit e LSI janë guerrilsa, janë të paparashikueshëm

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është “ngacmuar” sot nga gazetari Rezar Xhaxhiu lidhur me shifrat e sondazheve të fundit, që e nxjerrin LSI me pak mandate krahasuar me 2017.

Ajo tha se sondazhet nuk duhen besuar pasi edhe në 2013 e nxorrën LSI me 3 mandate, por ata morën 16. Për të votuesit e kësaj force politike janë të paparashikueshëm, janë guerrilsa, siç i quajti ajo.

Xhaxhiu: Çfarë ndjeni këto ditë fushate, e keni një bilanc?

Kryemadhi: Ndjej ndryshim dhe ëprmbysje të sistemit. Ndjej energji pozitive të të rinjve që kanë ngelur.

Xhaxhiu: Sondazhet ju nxjerrin në shifra alarmante.

Kryemadhi: Gjithmonë sondazhet e kanë nxjerrë LSI në shifra alarmante, në 2013 as 3 mandate nuk i dhanë LSI-së dhe LSI-ja mori 16 mandate.

Votuesi i LSI-së është i palexueshëm, e para. E dyta, votuesi i LSI-së është votues i qëndrueshëm, por i paparashikueshëm dhe është guerrilas për hir të së vërtetës.

Dhe tjetra, unë kam qenë ndër të parat që kam bërë sondazhe në Shqipëri, kur nuk e bënte asnjeri sondazhin në politikë, nuk e dinin që ekzistonte sondazhi politik.

Unë mendoj që ne duhet të bëjmë sondazh për sondazhet dhe kjo është kryesore. Por mendoj që të gjithë qytetarët po t’i pyesësh a janë më të varfër, a paguajnë më shumë para, a paguajnë më shumë taksa, a janë papunë, a kanë falimentuar bizneset, ky është sondazhi më i mirë për ne.