Zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk përbën më prioritetin kryesor për serbët. Të paktën kështu thotë një hulumtim i realizuar nga agjencia “Faktor Plus”.

Numri më i madh i tyre, 92 për qind konsideron  zhvillimin ekonomik prioritetin kyç të  Serbisë.

Prioritet me rëndësi ata kanë vënë edhe eliminimin e krimit dhe të korrupsionit – 89 për qind e qytetarëve të anketuar, ndërsa për paqe dhe stabilitet politik janë deklaruar 86 për qind e respondentëve të këtij hulumtimi të publikuar në të përditshmen “Politika”.

Pas këtyre vijnë drejtësia sociale dhe solidariteti – 78 për qind, ndërsa zgjidhjen e çështjes së Kosovës e kanë vënë ndër prioritete 46 për qind e të anketuarve. Për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian janë deklaruar 36 për qind e tyre, kurse për zhvillim të demokracisë – 14 për qind.

Ky hulumtim është kryer nga data 2 deri më 6 maj, ndërsa në të kanë marrë pjesë 1.040 respondentë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re