Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin të dielën e ardhshme, sondazhi i katërt i MRB për Euronews Albania tregon se Partia Socialiste do të merrte 53% të votave në Qarkun e Fierit.

Partia Demokratike rezulton se ka 27.8% të votave dhe Lëvizja Socialiste për Integrim me 3.7%. Pjesa tjetër e votuesve është e ndarë në 5% për parti të tjera, 5.6% thonë se nuk do të votonin, 4.2% janë ende të pavendosur kurse 0.7% refuzojnë të japin një përgjigje.

Në Qarkun e Fierit, diferenca mes PS dhe PD është 25.2% ndërsa elektorat i pavendosur ende janë 10.5% e votuesve. Në krahasim me rezultatin e sondazhit në nivel kombëtar, PS ka një rritje prej gati 12%, ndërsa PD ka rënie me 3%. Rënie ka edhe LSI pasi nga 7.6% në rang kombëtar në Fier rezulton me 3.7%.

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, rezultati do të ishte ky:

PS – 53%
PD – 27.8%
LSI – 3.7%

Krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017, ku tri partitë kryesore garuan gjithashtu të vetme, PS mori 57.15% të votave, PD 25.68% ndërsa LSI me 11.73%.

Në bazë të përgjigjeve specifike për votuesit e papërcaktuar, analiza e të dhënave të sondazhit tregon se nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, PS do të marrte 59.2% të votave, ndërsa PD del me 31.1%. LSI rezulton me 4.1%, Nisma Thurje me 1.7% dhe partitë e tjera së bashku 3.9%.

Ky rezultat i përkthyer në ndarjen e 16 mandateve të Qarkut të Fierit, del se PS do të siguronte 11 mandate ndërsa PD 5 mandate.

Ndarja e mandateve:

PS – 11 mandate
PD – 5 mandate

Në krahasim me ndarjen e mandateve të zgjedhjeve të fundit, rezulton se PS dhe PD i kanë marrë nga një mandat LSI pasi ndarja ishte PS 10 mandate, PD 4 dhe LSI 2 mandate.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re