Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca thotë se fillimi i bisedimeve për anëtarësim do të përshpejtojë përballjen e drejtësisë me krimin e organizuar dhe peshqit e mëdhenj në Shqipëri.

Në një intervistë me gazetarin Lutfi Dervishi, në emisionin Përballë, Soreca tha:

“Është një çast i rëndësishëm, sepse kjo do ta lejojë Shqipërinë, domethënë agjencitë e BE-së, që të përshpejtojnë nivelin e ndërhyrjeve, por edhe mënyrat e ndërhyrjeve. Kështu që sa më shpejt që të fillojmë bisedat për anëtarësim, aq më shumë do ta godasim krimin e organizuar dhe pasuritë që janë krijuar në formë të jashtëligjshme. Kështu që unë shoh një përshpejtim të shpejtë pasi të fillojnë këto bisedime”

Ambasadori Soreca foli edhe për rezultatet e para të konceptit “Ndiq paranë” që sipas tij po shënjon pikënisjen e luftës me krimin dhe pasuritë e jashtëligjshme.

“Ju ndoshta e mbani mend që në intervistën tonë të parë ne kemi folur për konceptin “Ndiq paranë”. Kjo gjë po ndodh tashmë. Besoj që ju ku i keni vënë re disa raste, edhe raste të një profili të lartë, ku sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve, i pasurisë që është arritur me origjinë të jashtëligjshme, po punohet, edhe SPAK-u edhe BKH-ja po punojnë edhe më shumë për këtë çështje.

Prokurori i Përgjithshëm Olsion Çela ka instruktuar prokurorët që të përqendrohen te konfiskimi. Dhe siç e dini, ju e njihni edhe vetë, për mua kjo është pikënisja, pikënisja e luftës, e goditjes së krimit të organizuar dhe të pasurisë së jashtëligjshme. Pra, kjo po ndodh gjithnjë e më shumë, çdo ditë.”- tha Soreca në Përballë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re