Këtë të diel situata në spitalin infektiv paraqitet më e qetë. Ndryshe nga ditët e tjera nuk ka prezencë të shtuar të ambulancave.

Por nga ana tjetër, një pjesë e familjarëve irritohen me mjekët, pasi nuk marrin informacion për shëndetin e të afërme të tyre të prekur me Covid.

Ky është Elis Arbri nga Berati. Ai është i shqetësuar për fatin e nënës, Xhevahires.

“Më dhanë një informacion më çuan te sëmundjet e brendshme. Shkuam atje nuk e gjetëm. Shkova te spitali tjetër Covid, nuk e gjetëm. Ku e kanë çuar të paktën, ta di. Po shkallohem…”, shprehet ai i revoltuar.

Pas një jave sorollatje në spitalet Covid, ai më në fund u informua se nëna është e shtruar në Infektiv. Thotë se nuk ka asnjë informacion mbi gjendjen shëndetësore.

“Mora informacion dhe më thanë që është po këtu. Gjendja shëndetësore është e rëndë”, tregon ai.

Por ndryshe nga spitali Covid 2, ku është caktuar një koordinator që informon familjarët e pacientëve, në spitalin Infektiv, kjo gjë nuk po ndodh. Shumë persona janë në pritje të marrjes së një përgjigje.

Informacion për shëndetin e këngëtares Justina Aliaj, e shtruar në Infektiv me koronavirus, kërkoi edhe një familjar i saj, i ardhur posaçërisht nga Italia.

“Justinën e kam edhe kushëri edhe krushqi. Dua ta takoj të di nëse ka nevojë për diçka. Nuk kam asnjë informacion”, u shpreh ai.

Por, ndryshe nga ditët e tjera, këtë të dielë nuk u panë familjarë që sillnin ushqime e veshmbathje për të afërmit e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re