Fondacioni i Shoqërisë së Hapur (OSF), i themeluar nga miliarderi George Soros, po tërhiqet nga një pjesë e madhe e aktiviteteve të tij në Bashkimin Evropian ose po i pezullon ato tërësisht dhe po e zhvendos vëmendjen e tij në pjesë të tjera të botës, sipas një e-maili të brendshëm të parë nga Reuters.

Vendimi do të thotë se rrjeti humanitar do të largohet në lidhje me çështjet e brendshme evropiane dhe do të fokusohet në atë fushë në kontekstin e çështjeve më të mëdha, globale, sipas një e-mail dërguar punonjësve.

“Në thelb, drejtimi strategjik i miratuar rishtazi përgatitet të tërheqë ose të përfundojë një pjesë të madhe të punës sonë aktuale brenda BE-së, duke zhvendosur fokusin tonë dhe duke rishpërndarë burimet në pjesë të tjera të botës,” thuhet në e-mail.

“Ky ndryshim nuk është një reflektim i punës së kaluar apo kontributeve të shumta të stafit ndër vite, por më tepër një vendim largpamës i rrënjosur në mundësitë e ardhshme për të dhënë ndikim të rëndësishëm.”

Në qershor u njoftua se financieri 93-vjeçar Soros do t’i dorëzonte djalit të tij Aleksit fondacionin e tij prej 25 miliardë dollarësh, i cili financon shumë organizata joqeveritare në botë, dhe në korrik u njoftua se 40 për qind e punonjësve në mbarë botën do të pushoheshin nga puna si pjesë e ndryshimeve strategjike.

E-mail-i i brendshëm nuk zbulon detaje se si fondacioni do të rialokojë fondet e tij, por një zëdhënës tha se organizata do të vazhdojë të mbështesë grupet e shoqërisë civile në të gjithë Evropën, duke përfshirë ato që punojnë në çështjet e politikës së jashtme të BE-së dhe do të vazhdojë të mbështesë komunitetet rome në kontinent.

 “Fondacioni i Shoqërisë së Hapur po ndryshon mënyrën se si e bën biznesin, por familja ime dhe OSF kanë mbështetur prej kohësh dhe mbeten të vendosur fort në projektin europian”, tha Alex Soros, kreu i OSF, në një deklaratë dërguar Reuters.

Xhorxh Soros, një hebre hungarez i cili emigroi pas Luftës së Dytë Botërore, u pasurua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për një kohë të gjatë mbështet grupet që promovojnë liberalizmin, demokracnë dhe një shoqëri të hapur në Evropën Lindore.

Organizata ndan çdo vit rreth 1.5 miliardë dollarë dhe do të vazhdojë të financojë programe në Evropë, duke përfshirë Ukrainën, Moldavinë, Kirgistanin dhe Ballkanin Perëndimor, përmes fondacioneve kombëtare, tha zëdhënësi i OSF-së.

“Puna jonë në Evropë ka qenë gjithmonë një entitet në zhvillim dhe këto ndryshime të reja nuk janë përjashtim nga kjo prirje afatgjatë,” shtoi zëdhënësi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re