Kreu i PL, Ilir Meta ka përkujtuar 24-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, ku përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se sot çdo shqiptar ndihet krenar dhe i gëzohet arritjeve të këtij shtetit.
Meta thekson se Kosova është një model frymëzues për ndërtimin e shtetit ligjor dhe shembull për zgjedhjet e lira e llogaridhënien.
Ndër të tjera shkruan “Mirënjohje dhe thellësisht falënderues për NATO-n dhe vendet demokratike mike, që i dhanë fund gjenocidit dhe kurorëzuan aspiratën shekullore për liri”.
Postimi i plotë:
Gëzuar 24-vjetorin e lirisë Kosovë e dashur!
Sot në Ditën e Çlirimit çdo shqiptar ndihet krenar dhe i gëzohet arritjeve të Republikës së Kosovës, zhvillimit të pandalshëm dhe avancimit solid në proceset integruese europiane dhe euro-atlantike.
Faktor kyç i provuar për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon! Model frymëzues i ndërtimit të shtetit ligjor! Edhe pse shteti më i ri i rajonit Kosova është bërë një shembull për zgjedhjet e lira, demokracinë funksionale, mirëqeverisjen dhe llogaridhënien!
Mirënjohje dhe thellësisht falenderues për NATO-n dhe vendet demokratike mike, që i dhanë fund gjenocidit dhe kurorëzuan aspiratën shekullore për liri!