Skip to content

Sot ceremonia e ‘Topit të Artë’/ Dembele është në avantazh, Yamal i qëndron pranë! Ç’ndodh në rast të votave të barabarta

Sot në orën 20:00 në ‘Theatre du Chatelet’ të Parisit do zhvillohet ceremonia e ‘Topit të Artë’. Për herë të parë fituesi mund të mos jetë në skenë për të marrë trofeun, kjo pasi Ousmane Dembele i PSG-së, i nominuar për këtë çmim si favorit, do jetë në fushë pasi në të njëjtën orë në Marseille luhet ‘Klasikja e Francës’ mes Marseille dhe PSG-së. Një stuhi e fortë shtyu takimin për sot. Veç Dembele, i cili shihet si i avantazhuar për trofeun, edhe Lamine Yamal është pranë tij.

Sa i përket rregullores, mësohet se në rast se dy futbollistë do të kenë numër votash të njëjtë, atëherë çmimi i shkon lojtarit, i cili ka marrë më shumë vende të para nga votimet. Nëse edhe në këtë aspekt ka barazim, atëherë diferencën e bëjnë vendet e dyta. Nëse edhe pas këtij listimi do të ketë përsëri barazi atëherë, do të jenë vendimtare vendet e treta.

Fituesi nuk njoftohet paraprakisht. Kryeredaktori i ‘France Football‘, Vincent Garcia, ka thënë se ai është i vetmi që e di emrin e fituesit. Në listën e kandidatëve janë 30 futbollistë, por favoritët kryesorë janë Ousmane Dembele (PSG) dhe Lamine Yamal (FC Barcelona). PSG-ja do të përfaqësohet nga një delegacion me 40 persona edhe pse thuajse në të njëtën orë në Marseille skuadra do të luajë “Klasiken” e madhe të Francës përballë OM.

Trofeu këtë herë jepet bazuar në performancat e një sezoni të plotë, jo më sipas vitit kalendarik. Elementët kolektivë dhe trofetë janë në plan të dytë, përballë performancës individuale, talentit dhe sportivitetit.

Numri i votuesve është ngushtuar. Për meshkujt votojnë vetëm 100 gazetarë nga 100 kombet më të mira sipas renditjes së FIFA-s (nga 170 më parë), ndërsa për femrat janë 50 votues.

Ceremoninë do ta drejtojë Ronaldinho, i cili gjithashtu do të dorëzojë çmimin e fituesit. Përveç ‘Topit të Artë’, do të ndahen edhe çmimet për portierin më të mirë, golashënuesin më të mirë dhe futbollistin më të mirë të ri.

‘Topi i Artë’ jepet që nga viti 1956. Lionel Messi e ka fituar plot tetë herë, rekord absolut, ndërsa Cristiano Ronaldo e ka marrë pesë herë.