Skip to content

Sot dita e dytë e Konferencës së Ambasadorëve, diskutohet për prioritetet ekonomike dhe tregun global


Sot është dita e dytë e Konferencës së Ambasadorëve Diplo25, me temë “Shqipëria 2030, e ndërlidhur me botën”. Diskutimi është i organizuar në tre panele, ku do të diskutohet për prioritetet ekonomike dhe projektet kyçe dhe pozicionimin e vendit në rrjetin global të tregtisë.

Në panelin e parë e pranishme do të jetë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku, drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë së Zhvillimit dhe Investimeve (AIDA) Laura Plaku dhe figura të tjera.

Në panelin e dytë që pritet të nisë në orën 11:30 deri në 13:00, i ftuar do të jetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen Delina Ibrahimaj, drejtoresha ekzekutive e Korporatës së Investimeve shqiptare Elira Kokona etj.

Në orën 14:30, që nis paneli i tretë do të flitet për rininë dhe të ardhmen e politikës së jashtme, me të ftuar sekretarin e Përgjithshëm të MEPJ-së Armand Skapi.

Një ditën e parë të Konferencës ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se detyra parësore e diplomatëve është mbyllja e negociatave. I kritikoi ambasadorët për marrëdhëniet me shqiptarët e suksesshëm dhe për mungesën e investimeve të huaja, ndërsa premtoi edhe rritje pagash për ta.