VALENTINA MADANI/ Pas ambasadës amerikane, edhe delegacioni i BE-së në Tiranë apeloi për dialog mes palëve, pas zhvillimeve të fundit në Kuvend.

BE rikujton se një Parlament funksional, që ushtron një rol efektiv mbikëqyrës dhe legjislativ është një shtyllë qendrore e procesit të anëtarësimit në BE. “Dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në Parlament është shumë i rëndësishëm dhe në interes të qytetarëve shqiptarë”, njoftoi BE-ja.

Kujtojmë që seanca e së hënës zgjati vetëm 5 minuta pasi deputetët e opozitës ndezën tymuese dhe flakadanë. Megjithatë, mazhoranca votoi në parim në mes të kaosit projektligjin për buxhetin 2024. Por, Kaosi i krijuar në Kuvend gjatë seancës plenare për projektbuxhetin e vitit 2024 u kushtoi sërish përjashtimin deputetëve demokratë.

Komisioni i Etikës përjashtoi me 10 ditë deputetët Flamur Noka, Bledion Nallbati, Gazment Bardhi dhe Flamur Hoxha. Ishin 9 përfaqësues të mazhorancës që kërkuan përjashtimin edhe të Albana Vokshit e Sorina Kotit, por për to nuk u vendos asnjë masë. Në shkresën drejtuar Komisionit të Etikës, socialistët thanë se kreu i grupit të demokratëve Gazment Bardhi ka goditur me karrige njërin nga gardistët, i cili u dëmtua rëndë në dorë, ndërsa Flamur Noka bllokoi foltoren me karrige, si dhe ndezi dy flakadanë, duke e hedhur një prej tyre në mbyllje te seancës drejt Kryeministrit.

Bledion Nallbati, i cili disa herë është ndëshkuar me përjashtim nga punimet e Parlamentit dhe komisioneve sipas mazhorancës ndezi një flakadan që e mori nga çantat e dy deputeteve Sorina Koti dhe Albana Vokshi. Flamur Hoxha sipas socialistëve ishte ai që pasi mori flakadanin nga Nallbati e vuri në tavolinë, duke dëmtuar pajisjen elektrike.

Kaosi dhe tensionet e krijuara në Parlament u kanë kushtuar demokratëve 57 përjashtime, ku ata që janë penalizuar më shumë se një herë janë Flamur Noka e Bledion Nallbati. Ngjarja e të hënës në seancë bëri jo pak bujë edhe në mediat ndërkombëtare.

Draftkalendari i punimeve të fundvitit

Sot në orën 11:00 pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve në kryesinë e Kuvendit. Mësohet se në rendin e ditës janë shqyrtimi për draftprogramin dhe draftkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 27 nëntor-22 dhjetor.

Ndërkohë në draftkalendarin e punimeve për këtë periudhë është edhe marrëveshja e firmosur mes Italisë dhe Shqipërisë për strehimin e emigrantëve të ardhur nga Afrika.

“Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”, i depozituar nga Këshilli i Ministrave në datën 17 nëntor.

Pas shqyrtimit në komisionet parlamentare, pritet që votimi në seancë plenare për marrëveshjen me Italinë të bëhet në 21 dhjetor. Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve.

Sipas marrëveshjes për emigrantët porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj. Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil nga autoritetet italiane në strukturën që do ndërtohet po nga italianët.

Shpenzimet do të përballohen nga Italia dhe sipas përllogaritjeve shteti fqinj do t’i paguajë vendit tonë fondin e parë në shumën 16.5 milionë eurove brenda një 3-mujori. Kohëzgjatja e marrëveshjes do jetë 5 vjet, por mund të shtyhet automatikisht edhe me 5 vite të tjera nëse ndonjëra nga palët nuk komunikon të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll. Marrëveshja pritet të kalojë dhe në Kuvend.

“Për Kushtetutën s’ka negociata me qeverinë”

Misionin për mbrojtjen e Kushtetutës, Sali Berisha e konsideron betejë për jetë a vdekje, ndaj dhe nuk lë shteg për asnjë negociatë në kurriz të ligjit themeltar të shtetit, pavarësisht thirrjes së faktorit ndërkombëtar për dialog me mazhorancën.

“Çfarë negociate? Me Kushtetutën nuk ka negociata. Po kërkojmë ne gjë ekstra? Zbatimi i Kushtetutës është normalizimi i jetës parlamentare. Nuk ka nevojë për asnjë negociatë”, deklaroi z.Berisha.

Ish-kryeministri duket tejet i vendosur në atë që ai e quan “beteja për të drejtat kushtetuese të deputetëve”. Në një konferencë me gazetarët, ai u shpreh se opozita nuk lodhet dhe se deri më tani ka pasur një performancë të shkëlqyer me mosbindjen në Parlament.

“Protesta në Parlament u kushtohet të drejtave kushtetuese të deputetëve dhe ne kemi zgjedhur atë formë që të gëzojmë ato që na jep Kushtetuta, jo të largohemi nga Parlamenti. Ne qëndrojmë aty. Ai tym u bë dritë për botën, për kauzën e drejtë të deputetëve, u bë blozë për Edi Ramën. A lëshon Edi Rama? Jo, nuk lëshon. Ne vazhdojmë me Parlament dhe jashtë, në momentin që e konsiderojmë oportune për ne, jo kur do ai, kemi një performancë të shkëlqyer me mosbindjen në Parlament. Hyri në Guinness për votimin e buxhetit në 4 minuta, s’ka mbetur media botërore që se ka shënuar 4- minutëshin. Ne nuk na soset durimi, në këtë betejë persistojmë”, deklaroi lideri demokrat.

Ai shprehet kundër protestave për marrëveshjen e emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë, por kur pyetet nëse Partia Demokratike do ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese, ish-kryeministri deklaron se do të respektojë vendimin e grupit parlamentar.

“Do mbështes vendimin e grupit pa asnjë lloj ekuivoku”, theksoi Berisha.

Sa i takon marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët, ai u pyet nëse do e çojë çështjen në Gjykatë Kushtetuese, ashtu siç ka thënë më herët.

“Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar kam bërë një diskutim të gjatë, por pa konkluzion për këtë çështje, diskutimi do të vazhdojë në një mbledhje të veçantë. Unë nuk do të prononcohem publikisht para vendimit të grupit, do të mbështes vendimin e tyre. Seanca vazhdon nesër, me dokumente. Në orën 1 mbledhja e grupit, seanca në 12”, theksoi ai.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re