Ishte viti 2001 kur oficeri Përparim Gosalci erdhi të dhurojë gjak në spital. Atë ditë ai dha gjak për një familjar të rijin e kuptoi domethënien e dhurimit. Që nga ajo kohë, ky oficer hero, nuk na ndaluar së dhuruari gjakun apo plazmën e tij për të tjerët, me shpresën se do ta shpëtojë një jetë. Që nga viti 2001 e deri më sot, mbi 20 vite, oficeri i njësisë speciale ka dhuruar plot 125 herë gjak.

Ai tregoi në një intervistë për Telegrafin, se dhurimi i gjakut mund të shpëtojë jetë, rast që atij i ka ndodhur jo vetëm me familjarin, por edhe me të tjerë, njerëz që për të kanë qenë të panjohur.

“Për mua dhurimi i gjakut është një gjest human, përmes të cilit kam mundësi të jem kandidat potencial, për shpëtimin e jetës së dikujt. Për herë të parë kam filluar të jap gjak në vitin 2001, kur e kam pasur një rast në familje time dhe atëherë, e kam kuptuar se çfarë vlere ka gjaku dhe domethënien e asaj se çfarë është me dhënë gjak. Prej aty kam filluar të jap gjak dhe jam bërë dhurues vullnetarë i gjakut deri në vitin 2005, kur ka ardhur aparatura që e bënë ndarjen e trombociteve dhe plazmës prej gjakut. Jam kyç këtu,  për të vetmen arsye sepse këtu  mundesh të dhurosh trombocite më shpesh sesa gjak. Pra gjak mundesh të dhurosh katër herë brenda një viti kurse trombocite mund të dhurosh deri në 16 herë në vit”, shprehet Gosalci.

Sot është dhurimi i 125 i gjakut dhe i trombociteve. Përveç tjerash,  unë e marr me shumë seriozitet, këtë punë sidomos kur janë fëmijë të vegjël. Sikurse është për rastin e sotshëm që është një fëmijë 10 vjeçar dhe vjen familjari i tij dhe mundohet të të falënderoj në mënyrën më të mirë të mundshme,  por nuk gjen shprehjen e duhur dhe unë këtë pjesë e përjetoj bukur rëndë. Në anën tjetër unë me profesion jam polic dhe këtë profesion e ushtroj prej viti 2005, kurse polic në Njësinë Speciale, jam përafërsisht që 10 vjet”, tregon ai.

Një rast i ka mbetur në mendje këtij oficeri, i cili ka dhënë gjak për një nënë në orët e vona të natës.

“Ka qenë vikend e diele, në orët e vona të mbrëmjes  është paraqitur nevoja për të dhuruar gjak dhe më kanë thirrur në transfuzionin e gjakut, kam shkuar dhe kam dhuruar gjak,  ka qenë një nënë ajo e cila ka pasur nevojë për gjak. Kurse vëllau i saj ka qëndruar në krah timin gjatë gjithë kohës që unë isha duke dhuruar gjak. Filloj me ma masazhu krahun duke menduar që kam dhimbje. Gjatë gjithë kohës më bënte pyetje a don me ta ble një hamburger, mos je i uritur, a po ki dhimbje, si po ndjehesh. Pastaj i thash që jo zemër, unë këtë nuk e kam problem këtë gjë e bëjë me shumë qejf. Besomëni nuk ndjej dhimbje dhe është një lehtësim shumë i madh”, u shpreh Gosalci për Telegrafin.

Video mund ta gjeni këtu

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re