Dita Ndërkombëtare e Gruas mbahet sot në të gjithë botën për të kujtuar arritjet ekonomike, politike dhe sociale të grave, por dhe privimet me të cilat ato ndeshen.

Gratë në të gjithë botën ende luftojnë me paragjykime të ndryshme, diskriminim, privime sidomos në botën e biznesit, ende fitojnë më pak se homologet e tyre dhe shpesh janë të ekspozuara ndaj ngacmimeve seksuale.

Në disa pjesë të botës, grave u mohohen pothuajse të gjitha të drejtat themelore të njeriut.

Në të njëjtën kohë, si shumica e festave, edhe kjo ka pësuar komercializim, kështu që në këtë ditë grave u jepen kryesisht lule, ndërsa thelbi i saj është harruar plotësisht – shumica e njerëzve nuk e dinë se ç’kuptim ka 8 marsi, nuk e dinë se kjo është një ditë për të potencuar luftën e grave për barazi. Ndaj ndodh që kësaj dite ta cilësojnë dhe si “Festa e Nënës”, duke mos qenë hiç e tillë në kontekst të ngushtë familjar.

Ideja për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas u shfaq për herë të parë në fillim të shekullit 20 në një kohë të industrializimit të shpejtë dhe zgjerimit ekonomik që shpesh çonte në protesta për kushtet e këqija të punës.

Konkretisht, gratë e punësuara në industrinë e veshjeve dhe tekstilit demonstruan publikisht në 8 mars, 1857 në New York.

Ato protestuan për kushtet e këqija të punës dhe pagat e ulëta. Protestat u shpërndanë nga policia dhe të njëjtat gra formuan një union dy muaj më vonë. Protestat e 8 marsit vazhduan në vitet në vijim, më e famshmja e të cilave ishte në 1908, kur 15,000 gra marshuan nëpër New York duke kërkuar orë më të shkurtra pune, paga më të mira dhe të drejtën e votës.

Në vitin 1910, në Kopenhagë u mbajt konferenca e parë ndërkombëtare e grave, e organizuar nga International Socialist dhe ku u themelua “Ditën Ndërkombëtare të Grave” me sugjerimin e socialistes së famshme gjermane Clare Zetkin.

Në vitin 1975, i cili u shpall Viti Ndërkombëtar i Grave, ku më pas OKB filloi zyrtarisht festimin e Ditës Ndërkombëtare të Grave.

Është interesante të përmendet se Zvicra ishte vendi i fundit në Evropë që dha të drejtën e votës për gratë, në 1972.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re