Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se “Ballkani i hapur është proces i krijuar në përfitim të të gjithë rajonit dhe i hapur për të gjitha vendet e tij”.

Zaev deklaroi se kjo është fjala e fundit që mban në Samitin e “Open Ballkan” teksa edhe një herë bëri thirrje që kjo nismë të vijojë pasi është një iniciativë që ndihmon qytetarët.

“Të gjitha këto vende kanë një ftesë për t’u lidhur me njëri-tjetrin dhe për t’u zhvilluar ekonomikisht. Bëjmë thirrje që të ketë kontribute në mënyrë që nisma të ketë sukses. Përballë qytetarëve tanë ne paraqesim sot hapa konkretë.

Ne ramë dakord që të mos lejojmë mbizotërimin e skepticizmit në vendet tona. Në këtë drejtim, Ballkani i hapur është një kontribut i jashtëzakonshëm për afrimin me vlerat e BE-së. Kur BE-ja dështon, ne kemi detyrimin për të marrë nisma evropiane.

Ne mbetemi të angazhuar në agjendën tonë për t’u afrua me BE-në, por Ballkani i hapur ka marrë mbështetje nga dhomat e tregtisë së vendeve tona, që janë dakord që kjo është nisma për të cilën ka nevojë rajoni”, deklaroi  Zaev.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re