Parlamenti i Shqipërisë do të mblidhet paraditen e sotme, për të miratuar një nga ndryshimet më të rëndësishme të ligjeve të vendit, Kodin Zgjedhor, pas një sërë përplasjes sa në Këshillin Politik në Komisionin e Ligjeve apo në mbledhjet me ambasadorët.
Pika 3 e rendit të ditës do të jetë pikërisht hedhja në votim e projektligjit aq të debatuar “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10.019, datë 29.12.2008 “Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar””.
Për Kodin Zgjedhor kërkohet, shumicë e cilësuar votash për miratim, 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, që janë 84 vota, që Rama ka treguar që mund ti arrijë dhe me disa blerje nga radhët e opozitës parlamentare.
Për këto ndryshime Ramës do t’i mjaftonte Myslim Murrizi dhe grupi i tij, ndërsa i pari ka dhënë sinjale dakordësie që në Komisionin e Ligjeve, ku votoi pro në parim për ndryshimet pas tolerimeve të socialistëve për pragun natyral prej 1%, si dhe mundësinë që kryetarët e partive të mund të vetëkandidohen në katër qarqe të ndryshme dhe më pas të zgjidhen.
Nga ana tjetër anëtarët e tjerë të opozitës parlamentare, kujtojmë këtu Rudina Hajdarin, Ralf Gjonin apo Andi Përmetin janë shprehur kundër amendimeve që PS i ka bërë Kodit Zgjedhor, që sipas tyre shmang hapjen reale të listave, që ka qenë një kërkesë e kahershme e tyre, si dhe bie ndesh me ndryshimet Kushtetuese që kaluan në Kuvend në 30 Qershor të këtij viti.
Mbetet për t’u parë qendrimi i të tjerë deputetëve nga opozita si Kujtim Gjuzi apo Kostaq Papa, vota e të cilëve do të mund të shërbente në këtë rast si numër për të plotësuar 84 votat aq shumë të nevojshme.
Pavarësisht kërkesës së vazhdueshme nga ana e PD-së dhe LSI-së që ti drejtohen OSBE-OHDIR për koalicionet parazgjedhore, që kërkojnë ti mbajnë në fuqi, PS është treguar e palëkundur në këtë pikë, që duket se është dhe thembra e akilit dhe për ndryshimet Kushtetuese, që u diskutuan dhe u miratuan në një periudhë të shkurtër kohore.
Edhe pse nuk kanë drejtuar gishtin nga fajtori, selitë diplomatike në vendin tonë, nga ajo amerikane te ajo britanike e gjermanike, kanë kërkuar vazhdimisht që të respektohet marrëveshja e 5 Qershorit, e arritur në Këshillin Politik me negociimin e gjatë të Yuri Kim. Kjo e fundit duket se tashmë nuk mund ta thotë qartë se në fushën e kujt do të jetë topi, ndërkohë që në zvarritjet për të arritur te 5 Qershori bënte përgjegjës drejtpërsëdrejti asokohe Lulzim Bashën.
Kreu i qeverisë Rama tha dje në një komunikim për gazetarët se Kodi do të kalojë në Kuvend, dhe në rast se merr 84 votat e nevojshme, ai hyn në fuqi dhe askush nuk mund ta kundërshtojë, dhe të dalë mbi Kuvendin.
Mbetet për t’u parë seanca e sotme, nëse opozita që mbajti karriget në Kuvend, do të arrijë të jetë në lartësinë që e kërkon momenti, apo do të bëhet palë e pazareve të radhës, për të siguruar me formula qoftë edhe ndonjë mandat në zgjedhjet e ardhshme të Prillit. (E.K/Faxweb.al)
/faxweb