Nga Yzedin HIMA

Libri me ese “Kronika e një qyteti  të n(gurtë)”, shkruar nga  publicisti Namir Lapardhaja është  kronikë e  një harku kohor prej një dekade për ndodhitë dhe mungesën e tyre në qytetin e Beratit, fokusuar nga këndshikimi prej qytetari të zotuar për ndryshim të gjithanshëm në të mirë të banorëve të tij të sotëm dhe atyre që do të vijnë.
Që në shkrimet e parë vihet re se publicistin Namir Lapardhaja e trondit dhe e trishton disharmonia midis gurëve të rëndë, gurëve të gdhendur dhe të radhitur me mjaft mjeshtëri nga banorët e dikurshëm dhe  ngrehinat e sotme kaotike dhe aestetike.
E trishton pamja e institucioneve të qytetit, sajuar me “popla” e “gurë” të pagdhëndur, duke përcjellë mesazhin e deformimit, rënies, anarkisë së vlerave.
Libri është organizuar në shtatë pjesë dhe çdo pjesë e tij nyjëtohet nga kuptimi i teksteve të veçantë.
Të shtatë pjesët formojnë mozaikun e kronikës qytetare, ku pulson shqetësimi njerëzor për ngurtësimin e lëvizjes drejt prosperitetit ekonomik, kulturor, shpirtëror e demokratik të qytetit. Të shtatë pjesët ndërtojnë mozaikun e ngrirë të arkitekturës osmane të qytetit, ku lëvizin njerëz me atë ngadalësi e mentalitet, duke e shndërruar qyetin në një muze orienti për nga arkitektura dhe gjindja, e cila lëviz në këtë skenografi natyrore, ku shfaqen simbolet e theksuar të diktaturës, të cilët e shtyjnë orientin edhe më në orient.
Namir Lapardhaja e sheh qytetin me syrin e të riut, që dallon qartë energjitë e fashitura për shkak të historisë së vjetër dhe të re të qytetit, për shkak të njerëzve që ecin me “prangat” në këmbë, në zemër, në mendje, në gjuhë, farkuar nga e djeshmja dhe ende e paliruar nga e sotmja.
Ai është nga të paktit tridhjetëvjeçarë me formim kulturor dhe kërkesa, që ende nuk e ka braktisur qytetin për të kërkuar realizmin e tij  në një vend europian apo edhe në Tiranë. Ai ka shpresuar te energjitë e fjetuar të këtij qyteti dhe gjatë dhjetë viteve me penën e tij ka dashur të nxisë, të krijojë një dallgë te mendimi qytetar, duke e trazuar atë, por është trishtuar kur ka vënë re se sa e vështirë  është për të krijuar qoftë edhe një rrudhë.
Namir Lapardhaja ka në dorë një laps, një copë laps, ndërsa ata që kanë patur në dorë të ndryshojnë  jetën e këtij qyteti gjatë  këtyre viteve, kanë gjithçka. Mbi gjithçka kanë një armë të papërballueshme, mosleximin, ndaj lapsi i Namirit lexuesve të pakët iu duket si heshta e Don Kishotit.
Po krijohet mendimi se lapsi, letra dhe fjala janë tejet të vjetëruara për të ndikuar botën dhe aq më pak për ta ndryshuar atë.
Në hyrje të librit autori ka shkruar një kushtim: “Në kujtim të Namik Mehqemesë…”  Ky kushtim, mendoj se duhet lexuar si një zotim për t’i qendruar besnik fjalës, në kërkim të së vërtetës, pa e shpërdorur atë, pa e kthyer në mall, siç ndosh rëndom sot. Jo më kot është zgjedhur poeti, publicisti, atifashisti dhe antikomunisti Namik Mehqemeja, martir i demokracisë, si njeri që dha jetën në moshën 21 vjeçare me fjalët prometeike se ata që po vinin në pushtet do të vrisnin fjalën, lirinë, qytetarin, vendin.
Në këtë libër Namir Lapardhaja, krejt natyrshëm, na tregon se përbetimi për qytetari të përjetshme duke tundur fort çertifikatën e vendlindjes së stërgjyshit, gjyshit, babait dhe të vetes, si të vetmit fakte të të qënit qytetar, të bën qesharak, ndaj kërkon nga bashkëqytetarët e tij rigjallërim të virtyteve më të mira të këtij qyteti, ridimesionimin e të qënit qytetar i një qyteti emblematik për nga kultura dhe vjetërsia, i vendosur në gjerdanin e vlerave botërore të qytetërimit.
Në mjaft tekste të këtij libri, autori sjell trishtimin e tij për zbehjen e qytetit nga ana kulturore e artistike. Mjerimin ekonomik e shikon si rrjedhojë e mjerimit të përgjithshëm intelektual dhe shpirtëror.
Tekstet publicistikë të këtij libri sjellin pamje të një syri të mprehtë, që e shikon të keqen jo te një anë, jo te një kohë, por kudo dhe kurdo kur ajo shfaqet, pavarësisht nga ngjyra dhe forma. Autori ka synuar të jetë zëri i atyre që nuk kanë zë, të hedhë dritë aty ku mjegulla ka fshehur prej dekadash të vërteta të hidhura, me besimin se sikurse barnat, këto të vërteta t’ i kthejnë shëndetin shoqërisë sonë, pas një lëngate të gjatë.
Në hyrje të çdo pjese autori vendos një thënie nga librat e shenjtë apo një fragment nga një tekst letrar në prozë dhe poezi. Këto thënie lajmërojnë se vështrimi publicistik i jetës  qytetare nuk mund t’i shpëtojë  standardeve estetike dhe shpirtërore, tashmë të formuara te autori. Pikërisht ky vëzhgim estetik e shpirtëror i qytetit nxjerr më në pah vulgaren, aestetiken, shkretinë e botës së brendshme në jetën e qytetit dhe sidomos të udhëheqësve të këtij qyteti, ngërç që krijohet,sikurse theksuam edhe më lart, nga disharmonia  e vlerave të krijuara ndër shekuj me qëndrimet e banorëve të sotëm.
Libri me ese “Kronika e një qyteti  të n(gurtë)” i publicistit Namir Lapardhaja i shtohet sot vlerave të këtij qyteti, duke qëndruar me dinjitet pranë tyre./ Marrë nga gazeta “Mapo”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re