Maska me detyrim në çdo ambient është vendimi më i fundit i qeverisë shqiptare. Duke filluar nga mbrëmja e 14 tetorit ka hyrë në fuqi Akti Normativ për masat e reja anticovid.

Akti thekson se maska mbrojtëse bëhet e detyrueshme jashtë ambienteve të shtëpisë dhe në rast shkeljeje të rregullit qytetarët gjobitem me 3 mijë lekë, ndërsa në rast përsëritje gjoba shkon në 5 mijë lekë.

“Te drejtën e dhënies së masës administrative për mosperdorimin e barrierës mbrojtëse (maskës) e ka Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake sipas modelit te gjobës të miratuar prej tyre.

Ekzekutimi i kundravajtjes administrative do të kryhet nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duke u bërë pjesë e faturave të energjisë elektrike.

Mënyra e ekzekutimit të kundravajtjes administrative nëpërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrisë përgjegjëse për energjinë, ministrisë përgjegjëse për financat dhe ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë”, theksohet në vendimin e qeverisë.

Ndërkohë një ditë më parë drejtoresha e ISHP-së Albana Fico ka zbardhur udhëzimin se kur duhet të përdoret maska dhe kur bën përjashtim, udhëzim që hyn në fuqi nga sot.
Sipas Ficos, maska duhet të mbulojë hundën gojën e mjekrën dhe s’duhet të preket kur vendoset.

“Maska ose barriera e fytyrës ndikon në mospërhapjen e Covid dhe stërkalave.

Barriera mbrojtëse duhet të shihet si masë plotësuese dhe duhet të zbatohet së bashku me distancën fizike dhe higjienën e duhur. Maska duhet të mbulojë hundën gojën e mjekrën, nuk duhet të preket kur vendoset. Maska kirurgjikale hidhet në koshin e mbetjes. Maska tekstile duhet të lahet pas çdo përdorimi në 60 gradë celsius”, tha Fico.
Udhëzuesi përmban parimet e përdorimit të maskës dhe gjithashtu rastet kur ajo duhet të mbahet në ambientet jashtë shtëpisë.

1. Sa herë dilni nga shtëpia;

2. Çdo individ mbi moshën 11 vjeç;

3. Gjatë të gjithë ditës gjatë të gjithë veprimtarisë jashtë banesës.

4. Në çdo dyqan, supermarket apo aktivitet tregtar

5. Në të gjitha mjetet e transportit publik dhe jo publik kur në to gjenden persona të tjerë përveç drejtuesit të automjetit.

6. Edhe gjatë ecjes në rrugë

7. Gjatë qëndrimit në të gjitha vendet publike të hapura si park apo shesh

8. Gjatë të gjithë aktivitetit të punës në zyra, të gjithë institucionet publike dhe jo publike, teatër, kinema, muze, biblioteka, etj

9. Në hyrje dhe dalje nga banesa si dhe ashensorë

10. Përpara dhe pas konsumit të ushqimit në bare dhe restorante

11. Në motoçikletë kur merr një person tjetër jo anëtare të familjes

12. Nëse jeni duke u kujdesur në shtëpi për një familjar me COVID-19

13. Në të gjitha institucionet fetare.

14. Nga personat që e kanë kaluar SARS COV -2 për t’u mbrojtur nga shakatarët e tjerë infektivë respiratorë.

15. Në institucionet arsimore dhe ato të kujdesit shëndetësor sipas rekomandimeve të mëparshme.

Vendosja e barrierës mbrojtëse (maskës) nuk mund të jetë e mundur në çdo situatë. Prandaj, ka disa raste kur ju lejohet të hiqni atë apo të modifikoni përdorimin e saj.
1. Nëse kërkohet për qëllime të identifikimit personal nga zyrtarët përkatës në polici, në bankë, postë, gjykatë, etj

2. Gjatë ngrënies apo konsumimit të pijeve por në hyrje e në dalje nga baret dhe restorantet maska duhet të vendoset.

3. Gjatë proçesit të manipulimeve dentare por në hyrje e në dalje nga klinika maska duhet të vendoset.

4. Nga personat që mbajnë/drejtojnë lutjen/shërbesën/ceremoninë fetare

5. Nga persona me humbje të dëgjimit dhe të folurit ose për personat gjatë kohës së komunikimit me ta, nëse nuk kanë mundësi të përdorin maska të posaçme (trasparente).

6. Nëse kërkohet nga stafi i dyqaneve ose marketeve përkatëse për identifikim të moshës, përfshirë blerjen e produkteve me moshë të kufizuar, siç janë duhani dhe alkooli

7. Nga punëtorët që punojnë në ambjente të jashtme, gjatë procesit të punës kur sigurohet distance fizike jo më pak se 1.5m.

8. Nga të ftuarit në emisionet televizive me kusht që të ruhet distanca jo më pak se 1.5 metra.

Udhëzuesi i miratuar përcakton qartë rastet përjashtimore të përdorimit të barrierës mbrojtëse (maskës).

1. Në të gjitha rastet kur përdorimi i maskës dëmton shëndetin sipas rekomandimit të mjekut të familjes.

2. Nga persona me sëmundje që i bëjnë të paaftë për përdorimin maskës.

3. Gjatë ushtrimit të aktiviteteve sportive.

4. Nga persona të cilët lëvizin të vetëm me biçikletë, motoçikletë apo monopatinë.

5. Kur në makinë është vetëm drejtuesi i mjetit ose persona që kanë lidhje familjare me të

6. Në aktivitete që mund të shkaktojnë lagien e maskës, si p.sh. gjatë larjes në pishinë, liqe ose në det.

7. Në shtëpi me anëtarët e ngushtë të familjes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re