Deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri, foli në Ditarin e mbrëmjes për situatën në opozitën e vendit gati një muaj para zgjedhjet të pjesshme lokale të 6 marsit, atëherë kur për herë të parë Sali Berisha do të ketë kundërshtarë “shtëpinë” e tij.
Ndër të tjera Pampuri u pyet edhe për atë pikë që ndau Partinë Demokratike me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila në 6 mars do të përfaqësohet në zgjedhjet lokale me kandidatët e Komisionit të Rithemelimit të Sali Berishës.
“Mund të ketë qenë edhe rezultati që mori LSI në zgjedhjet lokale, i cili ishte shokues. Gjithsesi, ftohja nisi nga Lëvizja Socialiste për Integrim, por unë sërish nuk arrij ta shpjegoj. Në një moment je bashkëpunues në fushatë dhe më pas shndërrohesh në armik të përbetuar.
Këtë nuk e perceptoj dot, por edhe një qytetar i thjesht nuk arrin ta perceptoj dot. Sot është miku më i rëndësishëm, ndërsa nesër shndërrohet në armikun tënd. Këtë unë nuk arrij ta perceptoj dot. Më pas, të biesh në nivele shumë të ulëta, në linçime, kërcënime. Kjo më duket absurde”, u shpreh Pampuri për A2.