VALENTINA MADANI/ Debate të forta priten ditën e sotme në seancën plenare të Kuvendit, ku do të votohet nëse raporti për mandatin e deputetes socialiste, Olta Xhaçka, do të shkojë për verifikim në Gjykatën Kushtetuese.

Në seancën e sotme, Parlamenti do të vendosë nëse do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes, për ish-ministren e Jashtme, Olta Xhaçka. Këshilli për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet vendosi të hënën që 24 orë përpara seancës të dorëzohet raporti që do t’i nënshtrohet votimit në seancë plenare. Ndërsa socialistët të kontaktuar thonë se ende nuk e kanë gati dokumentin, demokratët e kanë pasur me të thjeshtë, pasi kanë dorëzuar raportin e dy viteve më parë që u rrëzua në atë kohë nga mazhoranca me shumicë votash. Ata kërkojnë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të konstatuar papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës. Ata mendojnë se bashkëshorti i Xhaçkës, si investitor strategjik, ka përfituar pasuri publike dhe rrjedhimisht edhe vetë deputetja e qarkut të Korçës, çka bie ndesh me përcaktimet kushtetuese për deputetët. Por ndryshe mendojnë socialistët që në 2022 e rrëzuan në Parlament si të pabazuar pretendimin e opozitës.

Pas kësaj, demokratët iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, e cila në janar të 2023 shfuqizoi vendimin e parlamentit për mosmiratimin e raportit të pakicës. Demokratët këmbëngulin që çështja t’i dërgohet Kushtetueses për shqyrtim në themel, ndërsa socialistët e cilësojnë si në konflikt vetë Gjykatën Kushtetuese që me këtë vendim të 2023 iu diktojnë ligjvënësve sipas tyre votën. Vendimi gjithsesi i takon seancën së sotme nëse do të votojë për ta çuar ose jo për shqyrtim papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës në shkallën më të lartë të gjyqësorit. Çështja e mandatit të Xhaçkës kishte mbetur pa u diskutuar, ndërsa prej 23 janarit 2023, Gjykata Kushtetuese pranoi e kërkesën e 14 deputetëve të PD, për ta shfuqizuar vendimin e Parlamentit, që miratoi raportin e mazhorancës për të mos e çuar mandatin e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese. Ky vendim do të thotë që Kuvendi është i detyruar që ta çojë një kërkesë të deputetëve për verifikim të mandatit të një deputeti në Kushtetuese dhe do të jetë kjo e fundit që do të vendosë.

RAPORTI

Grupi i Partisë Demokratike publikoi dje raportin për mandatin e Olta Xhaçkës, ku kërkon që kjo çështje të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Sipas këtij raporti, Gjykata Kushtetuese duhet të konstatojë papajtueshmërinë me mandatin e Xhaçkës. Kujtojmë se nesër kjo temë do të diskutohet në Kuvend, ndërsa do të votohet nëse çështja për mandatin do të shkojë apo jo në Kushtetuese.

Në raportin që është publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit, ndër të tjera thuhet se Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë për mandatin e deputetes socialiste si dhe të konstatojë papajtueshmëri për mandatin e saj. Ndërsa bën analizën ligjore, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike konkludon se “deputetja e PS-së, Olta Xhaçka, njëkohësisht ish-ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë, çka duhet të sjellë edhe përfundimin e mandatit të saj. Për këtë arsye, me shkresën nr. 2283 prot., datë 20.06.2022, i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një mocion për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.

Sipas PD-së, deputetja dhe ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë, pasi shoqëria “AG.TÇ” sh.p.k., e cila ndodhet në pronësi të bashkëshortit të saj, Artan Gaçi, ka përfituar të drejta pasurore mbi pasurinë e shtetit. “Konkretisht, si rezultat i përdorimit të brigjeve të detit, e cila përbën pasuri shtetërore, për instalimin e stacioneve të plazhit në fshatin Gjilekë, Himarë, shoqëria “AG.TÇ” sh.p.k., në bashkëpronësi të bashkëshortit dhe të deputetes Xhaçka do të sigurojë të ardhura, çka përbën qartazi një veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit”, – thuhet në raport.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re