VALENTINA MADANI/ Delegacioni shqiptar nuk do të udhëtojë sot drejt Gjakovës ku ishte planifikuar mbajtja e përbashkët mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë.

Kryeministri Edi Rama njoftoi dje se mbledhja e dy qeverive, Shqipëri-Kosovë, e parashikuar për më 14 qershor në Gjakovë, nuk mund të mbahet në formatin e përcaktuar. Në një konferencë urgjente për shtyp, Rama theksoi se mbledhja e përbashkët nuk mund të zhvillohet në kushte normale për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës dhe krizës që po ndodh aty me popullsinë serbe.

Në këtë pikë, Kryeministri tha se i ka kërkuar Kurtit që nesër të takohen në një format më të ngushtë për të diskutuar për situatën në veri dhe për agravimin e marrëdhënieve të Kosovës me aleatët ndërkombëtarë. Por sipas Ramës, Kryeministri Kurti nuk e ka pranuar këtë gjë duke kërkuar mbajtjen e mbledhjes siç ishte parashikuar. Kjo nuk është pranuar as nga Rama, i cili theksoi se aleatët ndërkombëtarë janë gati të zbatojnë masat shtrënguese ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri. “Ndjesë për këtë orë të pazakonshme, por është një komunikim i jashtëzakonshëm, i cili lidhet me takimin e nesërm të dy qeverive në Gjakovë. E kam informuar Kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euro-atlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar.

Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë europiane, Joseph Borrel, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situate, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euro-atlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë.

Për fat të keq dhe me shumë keqardhje më duhet të them që nuk kemi pasur dakordësi me Kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit, ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë edhe për këtë, por kjo nuk është e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot. Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit, unë shpresoj shumë që të mund të takohemi për të ballafaquar opinionet në kushtet kur, e përsëris, jemi në prag të vënies në lëvizje të planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksione, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit.

Kam bërë një përpjekje për t’iu kërkuar edhe pak kohë, e kam marrë edhe pak kohë, por nëse nuk e shfrytëzojmë dot këtë kohë për një sens të përbashkët mes të gjithëve, atëherë kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”, deklaroi Edi Rama. I pyetur se a ka ndikuar në anulimin e mbledhjes Shqipëri-Kosovë, deklarata e Kurtit ku tha “se draftin e propozuar nga Rama, Kryeministri i Shqipërisë t’ia dorëzojë Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në takimin e radhës të “Open Ballkan”, Rama u shpreh se nuk ka ndikuar aspak. Përballë gazetarëve, Kryeministri dha argumentet e tij në lidhje me ndikimin që mund të kenë pasur tek ai deklaratat e homologut të tij në Kosovë, Kurtit. “Zero sepse siç unë them atë që mendoj, edhe Albini thotë atë që mendon dhe për mua nuk ka surpriza dhe gjëra të panjohura sepse siç më njeh ai mua, e njoh dhe unë atë dhe ai është i sinqertë në atë që thotë.

Ai beson vërtet që thotë diçka që unë duhet ta marr në konsideratë. Zero, sepse ka 2 njerëz që janë të painteresuar për Asociacionin dhe në këtë pikë janë bashkë, në kuptimin që janë marrë vesh, por janë të interesuar që Asociacioni të mos krijohet dhe këta janë Kryeministri i Kosovës dhe i Serbisë, sepse për mënyrën si e kanë të ndërtuar politikën e tyre të brendshme, u duhet armiku i jashtëm. Pse i çon Presidenti i Serbisë ushtarët në kufi me Kosovën? Mendoni ju se në mendjen më kurajoze, ai mendon se mund të futet një ushtar serb 1 metër në kufirin e Republikës së Kosovës? As që e imagjinon. Nuk i çon për të mbrojtur me armë serbët që janë në Kosovë, por për të ndezur shpirtin nacionaist të serbëve që janë në Beograd. Pse këndojnë ata që “Kosova është e jona”? Këngë mitingu pa asnjë lloj lidhje. Pse i duhet Kosovës ky konfrontim me Serbinë? Serbia e ka humbur Kosovën në 1999 dhe nuk është më kërcënim për Kosovën, nuk ka çfarë i bën fare sepse aty është Amerika, është kjo Amerikë e cila sot është në acarimin maksimal me qeverinë e Kosovës. Pse duhet kjo histori konfrontimi?

Duhet për politikë të brendshme dhe cila është gjëja që e shpërbën figurën e armikut imagjinar në sytë e zgjedhësve të njërit e tjetrit? Asociacioni që mbyll përfundimisht mundësinë për të vazhduar lufta që këta nuk na lënë të zgjedhin, këta nuk duan të zgjidhen. Unë jo vetëm që nuk prekem, por më vjen mirë edhe është pjesë e marrëdhënies të shëndetshme që kam me Kurtin, sepse e themi atë që mendojmë. Qëllimin e kemi 1: Njohja e plotë përfundimtare ndërkombëtare e Kosovës edhe nga Serbia dhe kërkimi i faljes së Serbisë për krimet e luftës. Ndryshimi mes meje dhe Albinit, ai i do këto në fillim, por këta janë në fund. Nuk kam asnjë problem me atë që thotë Albini, por më pëlqen se e ka këtë karakteristikë, por jam i tmerruar nga ky kurs taktike elektorale e brendshme, nuk ka asgjë”, u shpreh Edi Rama.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re