
Kryeministri Edi Rama reagon lidhur me seancën në Gjykatën Kushtetuese ku po shqyrtohet paga e gjyqtarëve.
Përmes një postimi në “X”, kreu i qeverisë shprehet se, po synohet që Shqipëria të jetë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se kushdo tjetër, duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave.
Postimi i plotë i Edi Ramës:
Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor!
Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave – ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar!
Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit.

