Kombëtarja Shqiptare do të luajë sonte me Hungarinë në orë 18:00 në stadiumin “Elbasan Arena”. Kjo është e pesta ndeshje e kuqezinjve, në grupin ku aktualisht mbajmë vendin e 4. Kuqezinjtë do të tentojnë të rrëmbejnë fitoren përballë hungarezëve dhe të mbajnë ende gjallë shpresat për një kualifikim në raundin tjetër.
Në konferencën zyrtare për mediat, trajneri i Kombëtares Edi Reja dhe kapiteni i Shqipërisë, Etrit Berisha u shprehen besimplotë për një rezultat pozitiv, duke hedhur pas krahëve atë humbje në Varshave perballë Polonisë.
Trajneri Reja u shpreh se kundërshtari është një ekip shumë i fortë, por lojtarët e Kombëtares kanë shumë cilësi dhe duhet të fokusohen për të marrë 3 pikët. Sipas Rejës, kjo ndeshje mund të cilësohet si vendimtare për të dyja skuadrat, për të qëndruar në lojë për vendin e dytë. Tekniku kuqezi u shpreh i lumtur për rikthimin e tifozëve në stadium, të cilët i sheh si një burim frymëzimi për skuadrën.
“Kemi një ndeshje për të rikuperuar ndaj Hungarisë, pas atij rezultati, mendoj të padrejtë që patëm në Poloni. Nëse i hedhim një sy rezultatit, 4-1 duket sikur na kanë masakruar, por në fakt nuk ishte ashtu. Skuadra bëri një paraqitje të mirë, pati ato momentet e veta që humbi përqendrimin. Gjithsesi ne jemi ende në këmbë, kemi një ndeshje ndaj Hungarisë që duhet fituar. Kemi shanset për të arritur objektivat akoma, jemi në lojë. Çdo ndeshje është vendimtare sipas meje në këtë pikë. Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe, Hungaria ka një skuadër shumë të fortë, shumë të përgatitur dhe cilësore, por ne duhet të fokusohemi 90 minuta dhe të jemi të ndërgjegjshëm për aftësitë që kemi dhe të marrim 3 pikë.”
Reja u pyet edhe për mungesat që do kushtëzojnë zgjedhjet e tij në fushë, por edhe për modulin e lojës.
“Sa i përket Brojës nuk mund të them që është lojtar shumë i ri, sepse ai tashmë numëron 6 ndeshje dhe 6 paraqitje me Kombëtaren. Ka pasur mundësi të tregojë vlerat e tij dhe unë e kam parë në disa ndeshje, dhe sidomos në Nations League në vitin e kaluar dhe mund të them që kam pasur mundësi që ta shoh në fushë dhe ta analizoj. Për momentin nuk më ka dhënë përgjigjet që unë pres, por është lojtar i madh, lojtar i ri dhe i perspektivës, shumë cilësor, nuk diskutohet. Do të jetë në stol për ndeshjen ndaj Hungarisë, por nëse do të ketë nevojë për të gjatë ndeshje, sigurisht që do të mbështetem tek ai. Ndërsa për modulin, mendoj se do të jetë i njëjti, por të shoh edhe si do të shkojnë gjërat me Bajramin, i cili sapo ka ardhur në skuadër dhe që po kalon një formë shumë të mirë. Është lojtar me shumë vlera, por kam edhe shumë lojtarë po aq të mirë, pavarësisht mungesave në dispozicion.”
Në rast humbjeje, kuqezinjtë e humbasin shansin për të vazhduar më tej, por Reja citoi beson tek ekipi dhe rezultati pozitiv.
“Unë mendoj që Kombëtarja jonë ka bërë një hap të rëndësishëm që nga viti i kaluar deri tani. Ndeshjet e Kombëtares janë më të mira, kemi personalitet në lojë, bëjmë shumë gjëra të mira dhe ato që duhen eliminuar janë gabimet që janë të evitueshme. Hungaria është një ekip i fortë, që ka bërë mirë edhe në Evropian por nesër do jetë një ndeshje e veçantë për të dyja ekipet dhe pa marrë parasysh se çfarë ke bërë në të kaluarën, gjithmonë duhet të bindesh edhe për të ardhmen. Kështu që për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme, kështu që shumë respekt për Hungarinë, por do futemi për fitore.”
Shqipëria pritet të zbresë në fushë me pak ndryshime, por me objektivin e qartë për fitore dhe pjesëmarrja e tifozëve në stadium pritet tu jap me shume zemër kuqezinjve për të koleksionuar fitoren përballë një kundërshtari direkt për vendin e dytë.