Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen pasditen e së hënës në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
Fillimisht kryediplomati i BE-së, Josep Borell, do të ketë takime të ndara me të dy liderët, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm i bllokut evropian për këtë proces, Mirosllav Lajçak.
Më vonë do të zhvillohet takimi i përbashkët.
Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes dy liderëve si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.
Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.
Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të këtij takimi se, presin që Kurti dhe Vuçiq të pranojnë propozimin, pa diskutime të mëtejme.
Pikë debati pritet të jetë vetëm një aneks për implementimin e pikave të marrëveshjes.
Burimet në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se përmbajtja e propozimit është e njohur për palët nga muaji shtator i vitit 2022, dhe nuk ka më nevojë të flitet për këtë përmbajtje.
Një version të përditësuar të planit, palët besohet se e kanë marrë në dhjetor.
Po ashtu, bazuar në përvojën e së kaluarës, zyrtarët e BE-së mendojnë se, nëse do të ketë kërkesë për ndryshim të tekstit, atëherë gjithçka do të duhet të nisë nga fillimi dhe mundësitë për sukses janë të vogla.
Një zyrtar i lartë i BE-së, ka thënë të premten se e kupton që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, nuk e kanë të lehtë të arsyetojnë në vendet e tyre pranimin e marrëveshjes, por nuk kanë pasur zgjidhje më të mirë.
Për Vuçiqin konsiderohet problem fakti që me këtë marrëveshje, sipas interpretimeve të BE-së, Serbia de facto e njeh Kosovën.
Presidenti serb besohet se përballet edhe me presionin e Rusisë që të mos e pranojë këtë propozim.
Karakteristikat e propozimit evropian
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 13 shkurt në Kuvend lexoi “disa karakteristika” të versionit të parë të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Këto karakteristika, sipas Kurtit, janë:
1. Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972 dhe të shumë modeleve të tjera të njohjeve de-facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndërshtetërore p.sh. marrëveshja Japoni-Kore Jugore. Vetë Gjykata Kushtetuese e Republikës Federative të Gjermanisë e kishte konstatuar në vitin 1973 që marrëveshja gjermano-gjermane ngërthente më vete njohjen de-facto të shtetësisë së njëra-tjetrës dhe njohjen e integritetit territorial nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare.
2. Propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazisë në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i Kartës së Kombeve të Bashkuara sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura.
3. Propozimi, gjithashtu, përcaktonte njohjen nga palët, të parimeve të barazisë së sovranëve, integritetit territorial, zgjidhjen paqësore të konflikteve në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
4. Propozimi përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare që përfshin jo vetëm organizatat në kontinentin evropian, por edhe ato me shtrirje universale si OKB, UNESCO apo NATO.
5. Propozimi përfshinte njohjen e palëve ndaj njëra-tjetrës të së drejtës së përfaqësimit shtetëror në terrenin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
6. Propozimi përfshinte shkëmbimin e zyrave të përhershme diplomatike në formën e legatëve që janë ambasada faktike e që përbënin formën normale të marrëdhënieve ndërshtetërore para Luftës së Dytë Botërore.
7. Propozimi përmbante njohjen e dokumenteve shtetërore që kanë efekt ndërkombëtar të shtetësisë për shtetasit, përfshirë të pasaportave të njëra-tjetrës nga njëra-tjetra.
8. Propozimi, megjithatë, përmbante edhe dy norma që lidheshin me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë: E para, normën që e përcaktonte komuniteti serb, do të ketë një të drejtë të vetëmenaxhimit në përputhje me instrumentet, konventat e Këshillit të Evropës, ashtu siç ka çdo komunitet minoritar në shtetet anëtare në Këshillin Evropës.
Dhe, e dyta, formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, gjë që ne veçse e kemi bërë përmes njohjes së ekzistencës së kishës në Ligjin tonë për komunitetet fetare në Kosovë.
9. Pika 10, e fundit, parashihte rregullën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët./ Burimi: R.E.L