Pas një seance e cila zgjati 3 orë, gjyqtarja Irena Gjoka e gjeti dje veten në pamundësi për të shpallur vendimin, pas kërkesës së bërë nga avokatët për përjashtimin e saj.

Ndaj Gjykata e Posaçme do të shpallë sot vendimin nëse do e pranojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për ishkryeministrin Sali Berisha.

Pas dy kërkesave të rrëzuara nga GJKKO, avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, njoftoi për mediat se sërish kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares, Irena Gjoka. Kjo kërkesë sipas avokatëve erdhi sepse gjyqtarja Irena Gjoka, rrëzoi dy kërkesa të tyre.

Sipas avokatit të Sali Berishës, vendimi që ka marrë gjykata është i paprecedente. Gjokutaj citoi ligjin duke thënë se “ai thotë që në momentin ngrihet kërkesa për përjashtim, gjykata nuk mund të marrë ose japë vendim”.

“Ne bëmë një kërkesë që ju mediat të ishit prezent, vazhduam me gjykimin incidental. I kërkuam gjykatës ta çojë në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e ka lënë të pa gjykuar në themel. Seanca sot ka qenë pa mbaruar mirë kërkimin ne, vinte vendimi i gjykatës me propozimin e saj. Me autorizimin e Ramës dhe kësaj mazhorance, sipas atij autorizimi, vazhdoi edhe gjyqi”, – deklaroi avokati Genci Gjokutaj.

Gjatë seancës, mbrojtja kundërshtoi edhe kërkesën e SPAK për mbikëqyrje policore dhe ndalimin e kontakteve për Berishën. “Nuk ka në Kodin e Procedurës Penale dispozitë që të detyrojë gjykatën të vendosi mbikëqyrje policore dhe e drejta e fjalës në cilësinë e liderit të opozitës.

Nëse kjo gjykatë do të veprojë për zotin Berisha, siç vepron përditë me trafikantë dhe me persona të ngjashëm, atëherë bën një gabim të rëndë”, – u shpreh avokati i Sali Berishës. Sipas tij, me autorizimin e Ramës vazhdoi edhe gjyqi.

“Parashtrimi ka qenë i gjatë. Për të gjithë këto rrëzime kërkesash, ne kërkuam për së dyti përjashtimin e gjyqtares. Gjykata e shtyu nesër në orën 15:00. Ata e dinë që edhe kjo kërkesa për përjashtim do rrëzohet. Kjo gjykatë për herë të parë ka hapur një precedent. Të gjitha kërkesat tona i ka rrëzuar pa u marrë vendimi për rrëzimin e kërkesës. Nëse gjykata do veprojë me Berishën si me trafikantët, po bën një gabim të rëndë. Kjo gjykatë sot ishte e barabartë me gjykatat partizane”, – tha avokati i Berishës.

SPAK kërkon ashpërsimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha me argumentin se ai nuk zbatoi masën e parë, atë të detyrimit për t’u paraqitur. Gjatë ditës së djeshme teksa protestonte me mbështetësit e tij para gjykatës së lartë lideri demokrat Sali Berisha tha se me masën e sigurisë detyrim paraqitje ndaj tij dhe heqjen e imunitetit është shkelur Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit.

“U shkel Kushtetuta duke u kërkuar heqjen e lirisë për Sali Berishën pa kaluar në Kuvend. Gjithashtu u shkel rregullorja e Kuvendit në mënyrën si u votua heqja e imunitetit të tij. Pse u dashka kyçur pa asnjë provë në shtëpi Sali Berisha? Vetëm se i ka kallur bashkë me ju tmerrin monstrës së pluralizmit, Edi Ramës. Pse u dashkan ndaluar komunikimet publike të Sali Berishës? Denoncimet tona i ka si helm se është mëkatar, por nuk mund të bëhet fjalë për një grua, për një vajzë të korruptuar në Shqipëri pa cituar thjeshtrën e tij, e cila pasurohet ditën dhe natën kur fle dhe kur zbavitet vetëm e vetëm falë njerkut të artë nga i cilin fiton çdo tender dhe asgjëson çdo konkurrent. Nuk mund të mos flitet për një grua të korruptuar kur përmend Linda në një kohë kur fiton me para të donatorëve çdo projekt bashkëpunimi me qeverinë. Të gjitha këto në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën ndaj dhe ata mendojnë se duke më hequr të drejtën e komunikimit do shpëtojnë nga kritikat. Sot duhet të kërkojmë vëmendjen e çdo shqiptari se kur gjykatat nuk garantojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, kjo është diktaturë. Kur logoja e partisë më të madhe opozitare kërkohet t’i jepet një personi që është peng i Edi Ramës çfarë ndodh, kjo është diktaturë”, – tha lideri demokrat.

Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të reflektojnë, pasi sipas tij, në Shqipëri po përsëritet skenari i Rusisë. “Shqiptarë zgjohuni, sepse po ndodh ajo që ka ndodhur në Rusinë e Putinit. Jo diktaturë si ato të vjetra me kampe përqendrimi, por diktaturë moderne. Kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë. Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre, betejë për vetekzistencën e Shqipërisë. A do fitojmë ne këtë betejë? Absolutisht po”.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re