Partia Demokratike ka vijuar edhe këtë të hënë turin e foltoreve para selisë së kryeministrisë.
Siç është bërë traditë tashmë, ajo u mbyll me fjalën e kreut të Opozitës, Sali Berisha.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD ftoi qytetarët në protestën e rradhës kombëtare, më 10 shkurt.
Sipas tij, qytetarët do të zbresin në shesh për ti dhënë leksionin e duhur kësaj qeverie. Ndërsa i kërkoi kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen.
“Sovrani për zvergu do t’ju kapë”, paralajmëroi ndër të tjera Berisha.
Berisha: Mirëmbrëma dhe një përshëndetje shumë të përzemërt, mirënjohje të pakufishme ndaj jush, qytetarë dhe qytetare opozitarë, guximtare e guximtarë që sakrifikoni në këtë protestë, në të cilën ju përfaqësoni zërin e ndërgjegjes qytetare shqiptare.
Përfaqësoni guximin e tyre, kurajën, vendosmërinë, dashurinë për lirinë dhe për këtë vend.
U përshëndes përzemërsisht dhe përshëndes të gjithë ata shqiptarë që mbushën rrugët dhe bulevardet e Tiranës dhe lebetitën një regjim antishqiptar.
Lebetitën një regjim armik të këtij kombi, armik të këtij vendi.
Me protestën e tyre dërguan në të katër anët e botës, në të gjitha sheshet e kryeqyteteve, në të gjitha kancelaritë e vendeve të NATO-s, BE dhe në Uashington mesazhin e qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk pajtohen kurrë me një regjim që i plaçkit ata çdo ditë.
Nuk pajtohen kurrë me një regjim që ka shndërruar portet e Shqipërisë dhe Shqipërinë në një platformë kryesore të helmeve dhe të drogës.
Me një regjim që përzë çdo ditë qytetarët e vet nga Shqipëria.
Miqtë e mi, kjo është betejë për dinjitetin tonë, kjo është betejë për dinjitetin kombëtar, kjo është betejë për t’u ngritur mbi propagandën e shpifjeve, trillimeve dhe mashtrimeve dhe të Edi Ramës dhe për t’i thënë shqiptarëve dhe botës se në këtë vend, në këtë tokë, ata që e duan Shqipërinë jemi ne, ata që i besojnë Shqipërisë jemi ne.
Miq, rrugën përpara nuk e kemi të lehtë, por e kemi të qartë si rrezja e diellit.
Misionin nuk e kemi të lehtë, por jemi më të vendosur se kurrë ta përmbushim atë.
Dhe fatin tonë të kemi fatin e Shqipërisë.
Shqipëria dhe fati ynë është një.
A mundet ne, që ëndrrat, fatin ta provojmë në dhera të tjera?
Jo, ne do të luftojmë këtu.
Ne do bëjmë gjithçka të përmbysim këtë të keqe të madhe për të shndërruar pasuritë e Shqipërisë në begati për shqiptarët.
Për të rikthyer ëndrrën shqiptare, shpresën, besimin tek Shqipëria të rinisë shqiptare.
Ne dalim dhe do të dalim në protesta gjer në fitore se ne i besojmë Zotit, por i besojmë edhe Shqipërisë.
I besojmë se kjo tokë është e bekuar, se ky vend ka pasuri përrallore, se Shqipëria është e bukura e dheut dhe mund të bëhet vendi i ëndrrës shqiptare.
Kujtojmë se, më 10 shkurt, Partia Demokratike do të zhvillojë protestën e rradhës kombëtare.



