Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho akuzoi qeverinë se ka ulur rritjen ekonomike të vendit.

 

Në një postim në “Facebook”, Spaho duke u ndalur tek Banka e Shqipërisë shprehet se rritja ekonomike vijon të bjerë pa ndërprerje që prej tetorit të 2018.

 

Sipas Spahos, arsye e rënies ekonomike është mungesa e investimeve të huaja. Ai akuzon kryeministrin Rama se në 6 vjet qeverisej nuk ka sjell asnjë investim nga jashtë dhe se nuk ka hapur vende pune.

 

“Banka e Shqipërisë sapo ka njoftuar se rritja ekonomike e vendit vazhdon të bjerë pa ndërprerje që nga tetori i vitit 2018. Arsyeja kryesore është rënia drastike e investimeve të huaja. Deri tani kontribuesit kryesore në rritjen ekonomike ishin investimet e mëdha që siguroi PD. Me përfundimin e punimeve në gazsjellësin TAP dhe Hidrocentralin e Devollit, ka rënë edhe rritja ekonomike e vendit.  Ekonomia shqiptare po  mbaron. Qeveria “Rama” në këto 6 vjet ka sjellë zero investime të reja te huaja dhe nuk ka hapur vende të reja pune.  Paraja kriminale po përzë paranë e ndershme dhe, me përjashtim të kantiereve të pastrimit të parave me ndërtime luksoze në qendër të Tiranës, kantieret e vërteta të punësimit nuk ekzistojnë.  Kriminalizimi dhe klientelizimi i ekonomisë po shkatërron të ardhmen e vendit: sot vetëm kriminelët dhe klientët mund të punojnë duke pastruar para dhe vjedhur pasuritë e vendit. Fotografia me e qartë e gjendjes së mjeruar ekonomike të vendit janë radhët pa fund të të rinjve shqiptarë në  Ambasadën Gjermane për viza të përkohshme punësimi. Të gjithë duan të ikin nga Shqipëria e Edi Ramës. I vetmi investim që ka bërë ndaj tyre Edi Rama është blerja e gazit helmues për të shuar protestat kundër rrënimit që u ka bërë Rama. E vetmja rrugë për rikthimin e shpresën në këtë vend, për të kthyer investimet, punësimin dhe mundësitë ekonomike është bashkimi me opozitën për t’i dhënë fund qeverisë së mjerimit të vendit.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re