Drejtuesi politik i PD-së për qarkun e Korçës, Edmond Spaho, zhvilloi sot një takim me fermerët dhe banorët e Vreshtasit dhe Podgories.

Ai iu konfirmoi banorëve të kësaj zone se prioritet i qeverisë së Lulzim Bashës do të jetë zhvillimi i bujqësisë me 50 milionë euro investime në sistemin e vaditjes dhe kullimit, si dhe 100 milionë euro subvencione në infrastrukturë, mekanikë bujqësore dhe mbështetje e shumanshme e sektorit. Spaho tha se vetë strategjia ekonomike e PD për ulje taksash, do të sjellje hapje të vendeve të punës edhe në fshat.

“Taksa e sheshtë nuk është vetëm për biznesin dhe qytetarin, por dhe për komunitetin e fshatit, pasi ul detyrimet e kontributeve shoqërore duke e çuar në 9 përqind këtë pagesë. Biznesi vendas do paguajë tatim fitim nga 15 përqind në 9 përqind.

Sipas Spahos, Lulzim Basha do të jetë kryeministër i ekonomisë dhe ai do të marrë si veprim të parë, heqjen e taksës së qarkullimit në mënyrë që çmimi i karburantit të shkojë 1200 lekë për litër.

Më tej duke shpjeguar dimensionin social të programit të qeverisë së opozitës, kordinatori Spaho theksoi se demokratët e kanë dëshmuar realizimin e premtimeve në mbështetjen ndaj shqiptarëve.

“Do të rriten pagat dhe pensionet me 25 përqind. Do të dyfishojmë deri në 160 mijë lek ndihmën ekonomike, ndërsa familjeve me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra, do tu hiqen tarifat e universitetit dhe Masterit të fëmijëve studentë. Do akordohen 30 mijë lek çdo muaj për 5 vjet, për çdo fëmijë që lind, sepse ne duam të mbështesim rritjen e shoqërisë e cila këto 8 vite vetëm po tkurret. Nga ana tjetër familjet e reja në fshat që duan të blejnë shtëpi do t’i suportojmë me interesat e kredive”, tha ndër të tjera Spaho.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re