Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur dy atentate të ndodhura para 15 vitesh, autorët e të cilëve nuk ishin zbuluar.
Bëhet fjalë për vrasjen e Klodian Saliut në shkurt të vitit 2005, i cili po lëvizte me autoveturën e tij tip “Mercedes Benz”. Vrasja e dytë është ajo e biznesmenit Vajdin Lamajt, ku humbi jetën si pasojë e një shpërthimi me lëndë plasëse në pallatin ku ai banonte. Nga ky sulm, ndërroi jetë edhe Artan Arsi.
Pas shqyrtimit të kërkesës për caktim mase sigurimi ndaj gjashtë të dyshuarve të këtyre dy ngjarjeve të rënda kriminale, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masat e sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasve: Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Taulla dhe L. Reci, të dyshuar për veprat penale të të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, në dëm të shtetasit Kleidi (Klodjan Saliu), për vrasjen e Klodian Saliut, të njejtët akuzohen edhe për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj dhe mikut të tij Artan Arsi.
Gjithashtu, po me këtë vendim Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg”, ndaj shtetasve Emiljano Shullazi dhe Viktor Ymeri (Imeraj) për vrasjen e Vajdin Lamaj dhe mikut të tij Artan Arsi.
Për shtetasit Lul Berisha dhe Plarent Dervishaj është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar dhe po punohet me autoritetet e huaja për lokalizimin dhe kapjen e tyre.