Analisti, Agim Baçi, i ftuar në Panorama TV, ndër të tjera foli edhe për vendimin e SPAK, ku i kërkon parlamentit heqjen e imunitetit për Sali Berishën.

Ai theksoi faktin se SPAK duhet të veprojë me një standard dhe të ketë vendime reale, e të drejta.

“Në momentin që SPAK i drejtohet Kuvendit, duhet medoemos të kemi vendime reale  të drejta.

Nuk mendoj se është burgu ai që zgjidh problemet, por dënimet duhet të kenë një standard.Kemi rastin e Fredi Belerit dhe Edison Memollës. Njëri në burg, njëri në bashki.

Edhe në raportin me Berishën, SPAK duhet të ketë një standard. Berisha dukej u i lumtur sot se duket sikur gjeti një motiv, pasi shqiptarët nuk iu përgjigjën thirrjeve të tij më parë.

Ka qenë vetë Berisha, që u krenua për propozimin e tij në vitin 2012 dhe ai duhet ta zbatojë këtë vendim” tha Baçi.

Sa i përket Lulzim Bashës dhe takimet e tij të fundit në SHBA, Baçi u shpreh se takimet jashtë mund të vinin nëse ai do kishte bërë betejat e tij në parlament.

Sipas tij, momentalisht Basha e ka të pamundur të futet në parlament pasi është në një “kurth” nga qëndrimet e marra nga Berisha dhe Rama.

“Takimet në SHBA dhe vendet e tjera, duhet të vijë vetëm pasi i ke  bërë betejat në Kuvend.

Basha është në një kurth tani, nëse ikën në Kuvend, o duhet të jetë pjesë e opozitës, ose “vegël” e qeverisë” shtoi analisti.

Sa i përket festimeve të 33 vjetorit të themelimit të PD, Baçi i konsideroi si pamje të trishta.

“Pamje e trishtë. Askush nga palët, pavarësisht se Basha mund të krenohet me pjesëmarrësit dhe Berisha në Hotel Tirana, por vetëm nëse ata nuk janë bashkë në një projekt mund të arrijnë diçka. Ndryshe të gjithë këto copa nuk bëhen një” u shpreh Baçi.

Në lidhje me vendimin për të përjashtuar deputetë që shkaktojnë kaos në Kuvend me 1 deri në 2 muaj, analisti tha se kjo është një zgjidhje  shumë e keqe, pasi parlamenti është pikërisht për të bërë debate dhe protestuar, normalisht jo me akte dhune.

“Për mua një zgjedhje shumë e keqe. Sepse Kuvendi mendon të zgjidhë problemin me masa ndëshkuese.

Kuvendi ndaj është, për t’u bërë debate. Imuniteti nuk është për të qëndruar jashtë parlamentit, por të mos pengohet që të bëjë punën e tij.

Eshtë normale të bësh beteja dhe të protestosh, normalisht nuk është normale të djegësh. Qeveria duhet se zbaton urdhrat e Ramës” tha ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re