Një ditë pas heqjes së imunitetit të deputetit nga Parlamenti, ish-kryeministri Sali Berisha iu rikthye akuzave ndaj SPAK-ut, i cili sipas tij po e heton dosjen “Partizani” duke u urdhëruar nga kryeministri Edi Rama.

“Skapi fshehu dokumentet për pronën ku u vendos klubi Partizani! Toka nuk ishte shpronësuar nga italianët, por ishte rekuizuar Siç jeni në dijeni, nga tetori gjer dje, u zhvillua procesi më i falsifikuar në historinë e Shqipërisë, një proces të kësaj natyre nuk ka njohur as diktatura komuniste. Ky proces filloi me vendosjen e masave të sigurisë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën ndaj Sali Berishës dhe arrestimin me brutalitet të anëtarit të Këshillit Kombëtar, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi. Ky proces ka në qendër hakmarrjen e verbër politike të Edi Ramës. Për të realizuar këtë qëllim janë përdorur mercenarë të Skapit, të cilët kanë falsifikuar, kanë manipuluar, kanë fshehur me qindra e qindra dokumente në dosjen e njohjes, kthimit tokës dhe privatizimit të objekteve të klubit Partizani për 300 pronarë, njëri prej tyre ishte Jamarbër Malltezi”, tha Berisha.

Berisha hedh poshtë pretendimet se toka ku është ndërtuar klubi partizani është shpronësuar.

“Fletoret Zyrtare të asaj periudhe që gjenden online, faktojnë se ky është një mashtrim, një shpifje, një trillim. Territori ku është ndërtuar klubi Partizani nuk ka qenë kurrë i shpronësuar, por me dokumentet e nënmbretit Jakomoni, ka qenë i rekuizuar. Pra, janë të gjithë dokumentet që faktojnë se toka ka qenë e rekuizuar, çka rrëzon çdo insinuatë se kjo ka qenë tokë me shpronësuar dhe e shpërblyer nga pushteti i atëhershëm, okupatori italian. Pse i kanë fshehur tani? I kanë fshehur sepse mbi bazën e këtyre fletoreve, këtyre dokumenteve zyrtare, Jamarbër Malltezi ka paditur në Skap për kallëzim të rremë, Taulant Ballën”, u shpreh Berisha.

Sali Berisha është i akuzuar për korrupsion nga SPAK për aferën “Partizani” dhe pritet ndaj tij të caktohet një masë arresti. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re