Ish-deputeti i PD, Belind Këlliçi në një tjetër dalje për mediat i ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e ditës së premte para Bashkisë së Tiranës.

Nga selia blu, Këlliçi është shprehur se SPAK tashmë i ka të gjitha provat, ndërkohë që ka kërkuar nga Prokuroria e Posaçme që të mos lejojë me kryebashkiakun Veliaj të ushtrojë detyrën.

“Çdo ditë që kalon, qëndrimi i Erion Veliajt në zyrën e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, i jep atij mundësinë të zhdukë provat dhe të vazhdojë të vjedhë i qetë buxhetin e Bashkisë Tiranë.

Kolegët e Erionit në SPAK, duhet të ndajnë mendjen njëherë e përgjithmonë. Ose janë bashkëpunëtorë të hajdutit Erion Veliaj, ose janë në shërbim të ligjit dhe drejtësisë. Rrugë të mesme NUK KA e NUK DO TË KETË!

Për këtë arsye, ftoj sërish qytetarët e Tiranës, demokratë e socialistë, me apo pa parti, të protestojmë sëbashku përpara Bashkisë Tiranë, ditën e premte, datë 21 qershor, ora 11:00”, thekson Këlliçi.

DEKLARATA E ANËTARIT TË KRYESISË SË PD, BELIND KËLLIÇI:

Ditën e djeshme depozituam zyrtarisht në SPAK studimin e famshëm të IFC, të muajit shkurt të vitit 2014, i cili fakton se projekti i atëhershëm i Bashkisë Tiranë, parashikonte që qytetarët të paguanin shifrën e 38 euro/ton për të gjithë zinxhirin e trajtimit të mbetjeve, duke përfshirë pastrimin e rrugëve, mbledhjen e mbetjeve, transportin, depozitimin, zgjerimin e landfillit, e në fund trajtimin e tyre.

Sapo Erion Veliaj futi këmbët në Bashkinë Tiranë në vitin 2015, ai hyri me një plan të detajuar të zhvatjes së qytetarëve të Tiranës përmes dy skemave të qarta tashmë për këdo.

E para propozoi, mbrojti publikisht dhe firmosi personalisht konçensionin e mbetjeve, dhënë kompanisë Integrated Energy BV SPV, ku deri më tani ka vjedhur të paktën 132 milionë euro nga xhepat e shqiptarëve për një incenerator që nuk ekziston dhe gjithashtu i dha monopolin e pastrimit të qytetit, duke paguar rreth 17 milionë euro në vit, miqve të tij të Ndranghettës Italiane, përmes kompanisë Eco Tirana.

Skema e dytë ishte ajo e vjedhjes së 100% të fondeve publike përmes kompanisë famëkeqe 5D Konstruksion, skemë e cila u replikua dhe nga disa titullarë të tjerë, si famozi Arben Maloku me kompaninë e tij ARB-Trans 2010 dhe Kujtim Qefalia me kompaninë Dajti Park 2007.

Të tre këto kompani kanë përfituar tendera publikë dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë, për një vlerë që e tejkalon shifrën 200 milione euro.

I gjithë shtabi elektoral i Erion Veliajt në zgjedhjet e majit të vitit 2023, janë të kallëzuar në SPAK prej më shumë se 1 viti dhe kjo strukturë vijon gjumin letargjik mbi këto dosje flagrante.

Edhe pse sot, me miratim të Veliajt gjenden prapa hekurave Taulant Tusha, Mariglen Qato dhe Redi Molla, Erioni vazhdon i qetë pagesat për 5D dhe inceneratorin fantazmë të Tiranës.

Partia Demokratike dhe unë personalisht, jemi të angazhuar që fatin e 3 drejtorëve në qeli, ta ketë vetë pronari faktik i inceneratorit të Tiranës dhe 5D Konstruksion Erion Veliaj, sëbashku me pjesën tjetër të mbetur ende jashtë dhe në shërbim të këtij banditi.

Çdo ditë që kalon, qëndrimi i Erion Veliajt në zyrën e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, i jep atij mundësinë të zhdukë provat dhe të vazhdojë të vjedhë i qetë buxhetin e Bashkisë Tiranë.

Kolegët e Erionit në SPAK, duhet të ndajnë mendjen njëherë e përgjithmonë. Ose janë bashkëpunëtorë të hajdutit Erion Veliaj, ose janë në shërbim të ligjit dhe drejtësisë. Rrugë të mesme NUK KA e NUK DO TË KETË!

Për këtë arsye, ftoj sërish qytetarët e Tiranës, demokratë e socialistë, me apo pa parti, të protestojmë sëbashku përpara Bashkisë Tiranë, ditën e premte, datë 21 qershor, ora 11:00.

 

Largimi i menjëhershëm nga zyra i hajdutit Erion Veliaj është emergjencë kombëtare.

 

O sot, o kurrë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re