Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas komunikimit zyrtar të akuzave nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), duke e quajtur procesin një hetim të fabrikuar që daton që prej dhjetorit 2019.
Përmes një postimi në Facebook, Meta thekson se nuk kishte asnjë të re nga takimi i fundit që zhvilloi me prokurorët më 27 maj, ndërsa përshëndeti mbylljen formale të hetimeve.
“Asgjë e re nga takimi i fundit më 27 maj me prokurorët e SPAK-ut. Përshëndes mbylljen zyrtare të hetim-fabrikimeve të nisura që në dhjetor 2019,” shkruan Meta.
Ai thekson se gjatë takimit me prokurorët ka kërkuar sërish që të hetohet me përgjegjësi se kush ka kryer pagesat e paligjshme në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) për lobimin në SHBA dhe se kujt i dërgoheshin faturat për miratim nga kompania lobuese GSIS.
