Gjykata e Posaçme do të vendosë sot (5 mars) për fatin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri i cili akuzohet për blerje votash.

Togat e zeza raportohet se janë tërhequr për të marrë vendimin mbi Fredi Belerin dhe mikun e tij, Pandeli Kokaveshi.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar 2.6 vite burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës. Ndërsa për Kokaveshin ka kërkuar dënimin me 2 vite burg, të konvertuar në 4 vite shërbim prove, shkak të problemeve shëndetësore.

Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi ndodhen në qeli prej 12 Majit 2023, të akuzuar për blerje votash.

Jashtë GJKKO, ndodhen kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe përfaqësuesi i Ambasadës greke.

LEXONI EDHE: “Herët a vonë do ta gjej drejtësinë time”- GJKKO do të vendosë për fatin e tij! Zbardhet dëshmia në gjyq e Fredi Belerit dhe thirrja për Ramën: Do të zhgënjehesh

PRETENCA E SPAK

Gjatë seancës së 13 shkurtit 2023 dy prokurorët, Adnan Xholi dhe Dorina Bejko lexuan konkluzionet në 60 faqe material duke i kërkuar GJKKO-së t’i shpallë fajtorë për korrupsion në zgjedhje. Si provë, SPAK thotë se janë pamjet filmike të takimeve të Fredi Belerit me bashkëpunëtorin e drejtësisë dhe komunikimet me të përmes telefonit dhe bisedat në përgjime ambientale.

Bëhet fjalë për blerjen e një vote për 5 mijë lekë dhe 40 mijë për 8 vota, shumë që i ka dhënë Pandeli Kokaveshi Arsen Ramës. Deri në këto momente telefoni i Fredi Belerit nuk është hapur, pasi vetë ai nuk ka pranuar të japë kodin, por komunikimet janë zbërthyer nga telefoni i bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe vëllait të këtij të fundit që është takuar nga Fredi Beleri. Madje, Beleri ka komunikuar me të dhe i kërkuar numrin e telefonit të Arsen Ramës për ta ndihmuar për të siguruar votat për bashkinë e Himarës.

SPAK vinte në dispozicion dhe DVR-të e pamjeve filmike, përgjimet ambientale e telefonike që sipas tyre vërtetojnë veprën penale të shit-blerjes së votave për të cilat i kërkuan GJKKO-së ta shpallin fajtor Fredi Belerin e truprojën e tij, Kokaveshi.

Fredi Beleri ishte i pranishëm në seancë dhe në fillim të saj bëri një deklaratë ku akuzoi kryetarin e trupit gjykues Erjon Çela për njëanshmëri në gjykim dhe se ‘ka vepruar me urdhra politikë’.

Sipas Belerit, gjyqtari nuk ka marrë parasysh asnjë nga kërkesat e bëra nga ai dhe avokatët mbrojtës.

Kryetari i trupit gjykues Erjon Çela në fund të seancës iu përgjigj se kërkesat e Belerit ishin shqyrtuar dhe se vendimet ishin marrë nga trupi gjykues.

Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga bashkëpunëtori i drejtësisë i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave.

Arrestimi i kandidatit për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, shërbeu si një shkëndijë për të ftohur marrëdhëniet e Athinës me Tiranën, ndërsa viti që lamë pas shoqërua me pasoja për nisjen e bisedimet për kapitujt e parë me Bashkimin Europian, pasi Greqia kërcënoi veto.

 

 

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re